Kampionia e Europës në atletikë, Luiza Gega, është pritur me një ceremoni në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku janë mbledhur qindra qytetarë në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për sportisten të martën.
E veshur me ngjyrat kuqezi, Luiza Gega parakaloi me një automjet tip ‘Kadillak’ përgjatë bulevardit në drejtim të Kryeministrisë, ku u prit me entuziazëm nga njerëz të shumë që kishin dalë për ta përshëndetur.
Makina që shoqëronte Luizën u ndal përpara Kryeministrisë, ku u zhvillua një ceremoni e veçantë.
Në ceremoninë e organizuar në Kryeministri, morën pjesë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, kryetari bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sportistë, etj.
Ministrja Kushi në fjalën e saj tha se “si ministre e Sporteve jam krenare dhe e lumtur për arritjet e Luizës, jo vetëm për faktin e sjelljes së medaljes Shqipërisë dhe thyerjen e rekordit evropian, por jam krenare se triumfoi modeli i punës dhe sakrificës. Sot jetojmë në një kohë që ndonjëherë model bëhen ata që nuk përfaqësojnë vlera të vërteta, ngjiten lart ata që nuk kanë merita. Këto nuk janë modele që frymëzojnë. Modeli që frymëzon është Luiza. Luiza është e vërteta, Luiza duhet të frymëzojë të rinjtë, të vegjlit, por edhe ne të rriturit, që puna dhe sakrifica shpërblehet”.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, në ceremoninë e nderimit të atletes kampione të Europës, Luiza Gega, se ajo i dhuroi vendit imazhin e një Shqipërie që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve.
Para se t’i dorëzonte Kordonin e Madh me Yllin për Mirënjohje Publike, kryeministri shtoi se “nëse e shohim të gjithë rrugëtimin dhe vrapimin e Luizës deri kur ka zbritur në pistë për ato më pak se 10 minuta që tanimë i përkasin historisë, ato janë hapa të pafundëm sfilitje, gjaku, lotësh dhe djerse”.
“Fort e admiruar kampione, tanimë edhe e Europës! Është një krenari dhe privilegj shumë i veçantë që të kemi sot këtu mes nesh në një përpjekje për të thënë faleminderit, jo doemos me të gjitha fjalët e nevojshme, edhe pse këtu u thanë shumë fjalë, por prapë kjo arritje të lë pa fjalë, por të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti”, iu drejtua Rama, kampiones së Europës në atletikë.
“Më vjen mirë që rastësia e deshi që sot unë të prezantohesha edhe me ambasadoren e re të BE-së në Shqipëri, të cilës i kërkova të qëndrojë pas takimit për të kremtuar një kampione europiane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë prapa Gjermaninë. Para ca kohësh dikush thoshte ‘jemi të dytët pas Gjermanisë’, por sot këtu, në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë”, shtoi Rama.
Teksa i dorëzoi Medaljen e nderit, Kryeministri Rama tha se me fitoren e saj të merituar Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë, letra të reja fisnikërie, si dhe imazhin e një Shqipërie që ja del me kokën lart mes gjithë të tjerëve.‘Në atë vend apo në ato vende ku ata kanë ngritur flamujt e kombeve të tjera shpërblimet janë më pak sesa shpërblimi që do marrë Luiza, me plot meritë, por nuk ka asnjë shpërblim financiar që mund ta shpërblejë Luizën për atë që i ka dhënë kombit dhe prandaj, unë dua ta them, përpara se ta mbyll, që edhe kjo medalje, “Kordoni i Madh i Yllit të Mirënjohjes Publike” është thjeshtë shprehja e përulur e admirimit, respektit dhe mirënjohjes, por nuk e kompenson dot sepse nuk ka shpërblim financiar, nuk ka medalje që mund të kompensojë sfilitjen, gjakun, lotët dhe djersën.
Normalisht, Luiza, kjo medalje është bërë për figura të larta shtetërore, kryesisht, pra normalisht këtë do e merrte Churchill e jo ti, por në fakt, ty të takon, ndoshta, më shumë se kujtdo tjetër sepse në mbajtjet e shenjave të kësaj medaljeje, shqiponjës dykrenare me yllin gjashtë cepësh, është hija e atletit të parë të kombit tonë, atleti i lirisë, Gjergj Kastriot Skëndërbeu. Duke t’u lutur të vish këtu, pa ju trembur shtatlartësisë sime të kotë, se mua më rrofshin gjithë këto centimetra dhe unë e di që ti je trime e nuk trembesh. Edhe vetë Napoleoni që është themeluesi i Kordonit të Madh të Legjionit të Nderit, nëse i besojmë arkivave, ishte vetëm 2 centimetra më i gjatë se ti, por ishte 20 minuta më i ngadaltë sesa ti.’- u shpreh Rama.
Kampionia Luiza Gega, në fjalën e saj nga Kryeministria tregoi se në rrugëtimin e saj ka pasur shumë vështirësi, por që nuk u dorëzua asnjëherë.
Gega tha se ka refuzuar shumë oferta nga shtetet e tjera, pasi ka dashur që të përfaqësoj vetëm Shqipërinë.
“Kam pasur shumë vështirësi sepse sportistët ashtu siç kanë triumfet, kanë dhe momentet e vështira. Dëmtimet i çojnë hapa mbrapa, por vendosa për të mos u dorëzuar. Kam pasur oferta për të vazhduar me vendet e tjera, por unë e dua këtë vend. Kam besuar se do vij dita që vendi jonë do ndryshojë dhe ky ndryshim ka ndodhur. Kemi gjëra për të ndryshuar,por kemi ecur shumë përpara”, tha ajo e emocionuar.
Në ambientet e Kryeministrisë po zhvillohet ceremonia për nder të Luiza Gegës, e cila u shpall kampione e Europës në garën 3000 metra me pengesa në Gjermani.
E veshur me ngjyrat kuqezi, Luiza Gega parakaloi me një automjet tip ‘Kadillak’ përgjatë bulevardit në drejtim të Kryeministrisë, ku u prit me brohoritma dhe entuziazëm nga njerëz të shumë që kishin dalë për ta përshëndetur.
Gega fitoi medaljen e artë duke shënuar kohën 9’11”31, në një garë që e dominoi nga fillimi e deri në fund. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Gegën dhe atletikën shqiptare, e cila ngjitet në majën e Europës.
/Argumentum.al