Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg 2 rusët dhe ukrainasit që u kapën teksa tentuan të hynin në uzinën e armëve në Gramsh.
Masën e kërkuar nga organi hetimor e ka konfirmuar Gjykata e Elbasanit, duke i lënë të tre të pandehurit në burgim.
Tre nenet e Kodit penal mbi të cilat akuzat e Prokurorisë qenë ngritur, janë ai 214, 237 dhe 279.
Më i rëndësishmi, neni 214, ka të bëjë me sigurimin e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cenuar pavarësinë e vendit. Ky akt dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet, nëse vërtetohet me vendim të formës së prerë të Gjykatës.
Neni 237 lidhet me goditjen ose vepra të tjera dhune kundrejt një punonjësi që kryen detyrën shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij. Ky akt, dënohet me gjobë ose burgim deri në tre vjet.
Neni 279, ka bëjë me mbajtjen, blerjen apo shitjen të armëve të ftohta, ku në këtë rast përfshihet edhe asgjenti neuroparalizues që kanë përdorur rusët.
Ngjarja në Gramsh:
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç u arestuan mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.
Për këtë ngjarje ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh një ditë më parë se rasti po hetohet me seriozitet dhe se nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh se hetimet vijojnë. Nga opozita nuk mungojnë akuzat dhe theksohet se është cenuar siguria kombëtare.