Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se përpjekjet për të dëmtuar Reformën në Drejtësi nuk duhet të pranohen më.
Në një postim në rrjetet sociale pas reagimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj SPAK lidhur me hetimet që po vijojnë ndaj tij, Kim thotë se kërcënimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk duhet të pranohen si “normale”, dhe se këto sjellje nuk i përkasin një vendi të NATO-s dhe që ka hapur negociatat me BE-në.
Sipas saj, për një kohë tepër të gjatë, të pasurit ose të pushtetshmit kanë besuar se janë të paprekshëm.
Ambasadorja nënvizon se tani ata shqetësohen se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi
“Kërcënimet dhe nxitjet ndaj prokurorëve & gjyqtarëve – dhe përpjekje të tjera për të vënë në rrezik reformën në drejtësi në – nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi të NATO-s, që ka hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB. Për një kohë tepër të gjatë, të pasurit dhe/ose të pushtetshmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata shqetësohen se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet gjithnjë e më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”, deklaron ambasadorja Kim.
I menjehershem ishte dhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, i cili thotë ndër të tjera se ata( Partia e Lirisë) mbështesin thirrjet që dënojnë sulmet banale politike të Ramës ndaj SPAK-ut.
”Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar”,-shkruan Blushi në një postim në facebook.
Mbështetim të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe Drejtësisë.
Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve.
Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar.
I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: “SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti”, sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj.
/Argumentum.al