Emisari amerikan ka thënë se palët në takime i kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, derisa Lajçak ka folur për shqetësimin që ka komuniteti ndërkombëtar. Sipas tij ajo që u pa me 31 korrik nuk duhet lejuar të përsëritet më 31 gusht.
Pas takimeve që patën në Presidencë e Kryeministri, bashkë me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, emisari nga Amerika Gabriel Escobar tregoi se janë siguruar nga palët se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator.
“Mendimi im i vetëm është se unë jam këtu për të dhënë mbështetjen për të gjetur një rrugë përpara për të gjitha këto çështje të vështira. Detajet se si shkojnë përpara janë në të vërtetë për dialogun, por unë do të doja të sigurohesha që njerëzit ta kuptojnë që vizita ime këtu ishte në të vërtetë për të treguar mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Të dyja palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator. Pra tani jemi këtu për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira dhe i gjithë ai optimizëm të përkthehen në një propozim konkret”.
Ndërkohë Lajçak ka treguar për shqetësimin ndërkombëtar rreth situatës. Tha se 31 korriku nuk duhet lejuar të përsëritet më 31 gusht.
“Komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar për atë që pamë në terren me 31 korrik dhe presim që të gjithë ne së bashku negociatorët, lidershipi i Kosovës dhe lidershipi i Serbisë të mos lejojnë që kjo të përsëritet me 31 gusht dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Ne jemi këtu për t’u siguruar se asgjë e keqe nuk do të ndodhë. Nuk po flas për detaje dhe shpresoj ta kuptoni. Unë jam optimist dhe kjo është arsyeja pse jam këtu, nëse nuk do të besoja se ka zgjidhje as nuk do të vija. Siç thash ky ishte takim i rëndësishëm dhe i dobishëm, por të shohim pas këtij takimi, do të ishte shumë herët për të dhënë një përfundim në këtë moment, por ishte një takim shumë i mirë”.
Qeveria tregon çka u fol në takimin e kryeministrit me emisarët
(E plotësuar) Qeveria e Kosovës ka dalë me njoftim për takimin e kryeministrit Albin Kurti me emisarët, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.
Disa orë pas takimit, nga Qeveria e Kosovës kanë lëshuar njoftim për media rreth asaj se çfarë bisedoi kreu qeveritar me dy emisarët nga Amerika dhe Evropa.
“Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke. Marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut”, thuhet në komunikatën qeveritare.
Siç bëhet e ditur, kryeministri i ka falënderuar emisarët Escobar dhe Lajçak për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuara artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë./RTK