Qeveria vendosi të shtyjë edhe 6 muaj qëndrimin për shtetasit afganë që ndodhen ende në territorin e Shqipërisë, thuhet në një vendim të bërë publik të enjten.
Qeveria vendosi një shtesë në vendimin nr. 501, datë 25.8.2021, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi, me vendbanim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit dhe për krijimin e Task Forcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare.
“Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi, qëndrimi i personave që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, shtyhet edhe për 6 (gjashtë) muaj të tjerë”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar shtatë ministri. Nuk ka një numër të saktë të afganëve që banojnë në Shqipëri. Shumica e tyre janë të strehuar në Durrës dhe Lezhë. Shumica e tyre u larguan nga Afganistani duke pasur frikë nga ndjekja penale nga regjimi taleban, i cili mori pushtetin pasi forcat e SHBA-së dhe NATO-s e braktisën atë vend pas një lufte të pasuksesshme prej dy dekadash kundër forcave talebane.
/Argumentum.al