Gjykata e rajonit Meshchansky e Moskës ka vendosur arrest me burg në mungesë për shtetasen ruse SvetlanaTimofeyeva të ndaluar në Shqipëri për përpjekje të infiltrimit në një objekt ushtarak, kështu njofton media ruse lenta.ru
Burimi në fjalë nënvizon se emri i saj i plotë dhe data e lindjes – 19 mars 1989 – që janë përmendur në gjykatë lidhur me Timofeyevan, janë të dhëna të njëjta sikurse të fotografes ruse, Svetlana Timofeyeva, e cila është arrestuar disa ditë më parë në Shqipëri, bashkë me dy miqtë e saj.
Sipas njoftimit nga zyra e shtypit të gjykatës ruse të këtij rajoni, Svetlana Timofeyeva është në gjykim për çështjen e përfitimit në mënyrë të paligjshme nga një grup personash të të dhënave që përbejnë sekret shtetëror në Rusi, nëpërmjet vjedhjes, mashtrimit, shantazhit, detyrimit, kërcënimit nëpërmjet dhunës ose nëpërmjet çdo mënyrë tjetër të jashtëligjshme.
Sipas këtij neni të kodit penal të Federatës Ruse, ajo rrezikon heqje lirie deri në 8 vite.
Të shtunën e 20 gushtit, këta tre persona tentuan të futen në uzinën e Gramshit, ku u ndaluan nga dy roje ushtarake. Ata i sulmuan rojet ushtarake me sprej neuroparalizues. Të dy ushtarët kanë përfunduar në spital për shkak të sulmit, me dëmtime të lehta në fytyrë.
Të arrestuarit, në dëshmitë e tyre kanë thënë se janë fotografë dhe se kanë blog ku postojnë kryesisht foto dhe video të ish-bazave ushtarake të Bashkimit Sovjetik.
Ata kanë thënë se fotografojnë kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe që nuk përdoreshin më nga shteti. Gjithashtu, ata kanë treguar se kanë fotografuar bunkerë dhe tunele të nëndheshme, si dhe vende të uzinës e territore të braktisura.
Kujtojmë se më 24 gusht, gjykata e Elbasanit në Shqipëri ka marrë vendim që tre personat të qëndrojnë në burg derisa të përfundojnë hetimet.
/Argumentum.al