Kreu i Partisë së Lirisë (FP), Ilir Meta, ka folur për atë që pritet të ndodhë në shtator, si dhe për koordinimin që partia e tij do të ketë me Partinë Demokratike (PD) të Sali Berishës.
“Në shtator do të shohim një angazhim të jashtëzakonshëm të opozitës. Që nga mbrëmja e 25 korrikut, Partia e Lirise është me kapacitet të plotë në përmbushjen e detyrës së opozitës, sepse Shqipërisë i duhet shumë për të rritur besimin në përkushtimin për ndryshimin dhe përmbysjen e këtij sistemi të kalbur antikombëtar që po shkatërron çdo ditë shpresa në këtë vend dhe veçanërisht të rinisë shqiptare”, tha Meta të premten në FaxNews.
Meta u ndal edhe në deklaratën e kreut të PD, Sali Berisha për mosbindje civile nëse kryeministri Edi Rama nuk i përgjigjet thirrjes së qytetarëve për t’u larguar nga pushteti.
“Ne jemi këtu për t’i dhënë opozitës në vend atë dimension të munguar, pushtetin e vërtetë popullit, për të çuar drejt një ndryshimi që përfundimisht do t’i japë fund personalizimit të shtetit dhe kapjes së tij nga një klikë. Ramoviç do të ikë si Millosheviqi dhe më mirë”, tha Meta,
“Rama do të rrëzohet ashtu siç e meriton me vendosmërinë tonë për t’i kthyer legjitimitetin popullit shqiptar dhe institucioneve tona. Ai do të largohet si u largua Millosheviqi pavarësisht se këtu kemi të bëjmë me një rast më të thjeshtë”, tha kreu i FP.
/Argumentum al