Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje mbi lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve.
“Kemi një marrëveshje. Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse – dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia”, shkroi zoti Borrell, duke e cilësuar këtë një zgjidhje evropiane.
Ai i përgëzoi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për këtë marrëveshje e cila pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet palëve pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, falënderoi “të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale se “qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, duke nënvizuar se “fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se “liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet”.