Nga Jorgji Kote
Brexit-i dhe kryeministrja britanike May pësuan një disfatë të rëndë politike dhe morale natën e 27 marsit, kur Parlamenti u tha prerazi “Jo” të teta alternativave të përzgjedhura lidhur me daljen nga BE-ja, duke përfshirë edhe atë pa marrëveshje. Ishte një votim i çuditshëm, ku sipas shtypit të huaj, secili ishte kundër secilit dhe të gjithë kundër të gjithëve dhe të gjithave! Meqenëse ky votim nuk është i detyrueshëm për qeverinë, May është e vendosur ta kalojë për herë të tretë dhe të fundit në votim marrëveshjen me BE-në. Ajo nuk hezitoi që të shpallë dorëheqjen nga politika, me kusht që marrëveshja të miratohet javën e ardhshme. Pavarësisht efekteve pozitive që kjo pati në rritjen e mbështetjes, do thënë se veç kundërshtarëve brenda radhëve të veta, qeverinë e pakicës, këtë e ka në dorë aleatja e saj me 10 deputetë, DUP-ja e Irlandës së Veriut. Liderja e saj, Foster, konfirmoi edhe pas tetë “Jo”-ve kundërshtimin e saj kategorik.
Për pasojë, veç zëvendësimit të May dhe zgjedhjeve të parakohshme, tani Britanisë së Madhe i mbeten vetëm dy alternativa: një Brexit pa marrëveshje (No deal) e mbarsur me kaos dhe pasoja të paparashikueshme për Britaninë e Madhe dhe BE-në, ndonëse kjo e fundit po merr të gjitha masat për minimizimin e tyre. Alternativa tjetër më e mundshme mbetet referendumi i dytë lidhur me Brexit, por gjasat janë që ai të kthehet në një “exit nga Brexit”, pra dalje nga Brexit e jo nga BE-ja. Kjo duket si lojë fjalësh, por në fakt përfaqëson një realitet dhe sfidë tejet të vështirë; zaten kështu ndodh kur çështje kardinale të një vendi të madh dhe në kohë të turbullta stuhish tentohet t’u jepet zgjidhje thjesht dhe vetëm me një “Po ose Jo”, ose “të shkojmë apo të qëndrojmë?” (go or remain) në një referendum si ai i 23 qershorit 2016.
Referendumi i dytë, si alternativa më e mirë nuk është “wishful thinking” d.m.th. vetëm dëshirë e mirë, por një kërkesë dhe alternativë e domosdoshme për Britaninë dhe Evropën. Këtë e tregoi veç të tjerash prania e mbi një milion vetave në protestën më të madhe në historinë e këtij vendi javën e kaluar në Londër. Po ashtu, peticionin ‘online’ për këtë referendum e kanë nënshkruar brenda një jave mbi 6 milionë veta, shifër që sa vjen dhe rritet. Sipas sondazhit më të fundit, në favor të përsëritjes së këtij referendumi janë 56 për qind e britanikëve. Shumë e rëndësishme politikisht, pas disa luhatjeve, më në fund shumica e deputetëve laburistë në opozitë janë pro tij. Dhe në votimin e pardjeshëm, kjo alternativë pati diferencën më të ngushtë pas bashkimit doganor.
Me të drejtë deri tani përsëritja e referendumit është refuzuar, pasi kishte probleme lidhur me respektimin e vullnetit demokratik të shumicës, dmth., atyre që votuan pro Brexit dhe të krijimit të një precedenti negativ për të ardhmen. Mirëpo kjo ishte e vlefshme deri në momentet e tanishme, por jo më tej, për disa arsye thelbësore që përmenden shkurt më poshtë.
Së pari, vullneti demokratik i shumicës është respektuar plotësisht nga të gjithë dhe nga BE-ja. Fill pas fitores së Brexit, dha dorëheqjen nismëtari i tij, ish-kryeministri Cameron dhe disa ministra të qeverisë së tanishme; janë dorëhequr edhe vetë liderët e tij, që mesa duket donin t’i “nxirrnin gështenjat përvëluese me mashën e të tjerëve”. etj. Në vijim, gjatë gati tri viteve të fundit pas referendumit të 23 qershorit 2016, Britania dhe BE-ja kanë zbatuar lloj-lloj programesh dhe projektesh. Ato kanë ndërmarrë demarshe të panumërta, shoqëruar me një valë dorëheqjesh, duke përfshirë dhe tre sekretarë shteti këtë javë dhe ecejake diplomatike pa fund për të gjetur dritare dhe shtigje daljeje me BE-në, por më kot. Sipas “The Economist”, May ka premtuar 108 herë se më 29 mars, Britania e Madhe do të dilte nga BE-ja, por u detyrua të bënte të kundërtën më 20 mars me letrën drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, ku kërkoi shtyrjen e kësaj daljeje. Nga ana e vet, BE-ja është treguar e gatshme dhe luajale, duke pranuar shtyrjen e afatit deri vitin e ardhshëm dhe duke bërë aty këtu lëshime ndonëse kozmetike, sepse marrëveshja e saj e “qëndisur” nga Michel Barnier konsiderohet “vepër arti”, ndaj, tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që asaj t’i lëvizësh qoftë edhe një presje.
Të gjitha këto hapa dhe veprime në respekt të vullnetit të shumicës, në favor të Brexit-it janë ndërmarrë kur po mbushen gati tri vite pas fitores së Brexit-it. Kur me gjithë shpresat e euroskeptikëve, me gjithë rezervat dhe kundërshtitë në disa vende, asnjë shtet tjetër nuk është i gatshëm të ndjekë shembullin e Brexit-it. Ndërkohë, kanë dalë vazhdimisht fakte të reja, që hedhin dritë mbi morinë dhe seriozitetin e sfidave dhe vështirësive të krijuara e që do të shtohen pas Brexit në të gjitha fushat, në radhë të parë për Britaninë e Madhe, por edhe për të tjerët. Bëhet fjalë për pasoja të pallogaritshme pas daljes nga BE-ja në të gjitha fushat e sidomos për brezin e ri, investimet, punësimin, lirin e lëvizjes, sponsorizimpin e kontakteve kulturore, shkencore dhe njerëzore që ndihmoheshin shumë falë programeve të mirënjohura të BE-së. Mjafton të përmendim shqetësimin që ngritën në letrën e tyre para dy muajve 4000 rektorët e universiteteve britanike. Pa hyrë pastaj në rrezikun që i kanoset sërish paqes ndërmjet dy Irlandave me histori të shumta konfliktesh të armatosura. Ndërkohë, siç pohojnë shumica e ekspertëve, edhe BE-së nuk i intereson një Britani e Madhe jashtë saj, si ekonomia e pestë më e madhe në botë, anëtare e përhershme e KS të OKB-së, me traditat e famshme anglo-saksone, sigurinë etj.
E me gjithë këto përpjekje, Britania e Madhe nuk po gjen dot daljen nga BE-ja, madje kjo është kthyer në një dramë tragjike të formatit të Shekspirit. Këto tri vite janë të mjaftueshme për të dëshmuar se shumica pro Brexit bëri sipas fjalëve të presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, “një gabim tragjik” dhe përfaqësuesit e saj e treguan veten tërësisht të paaftë për të realizuar këtë projekt. Ndërsa, siç u pa edhe më lart, koha po tregon se pakica kundërshtare e Brexit-it, që është rritur vazhdimisht dhe në numër kishte të drejtë. Kësisoj, politika britanike dhe BE-ja nuk i kanë më asnjë borxh elektoratit pro Brexit, sepse ia bënë të gjithë “hyzmetin”.
Pas këtyre argumenteve bindëse, mbetet për t’u shtjelluar aspekti politik, juridik dhe organizativ i përsëritjes së referendumit. Këtu çështja kryesore shtrohet nëse lejohet në demokraci që dikush qoftë edhe një shumicë apo pakicë të ndryshojë një ide, mendim dhe preferencë politike etj.? Ca më tepër për një çështje madhore e me pasoja për të ardhmen si dalja nga BE-ja? Përgjigja është pohuese, po, lejohet, madje ndryshimi dhe korrigjimi i një ideje apo mendimi të dikurshëm, kur koha dhe kushtet nuk e lejojnë ose mundësojnë është element i përhershëm në demokracie, sidomos kur praktika i nxjerr “jashtë loje”. Atëherë, si mund t’ua mohosh këtë të drejtë një pjese shumë të madhe e në rritje të popullsisë që është kundër Brexit-it? Po dhe vetë një numër i madh brexitasish, kush mund të thotë se nuk janë penduar dhe nuk janë kthyer në krahun tjetër?
Mbi të gjitha, dhe nga ana ligjore/juridike nuk ka asnjë problem, sepse Gjykata Evropiane e Drejtësisë është shprehur qartë se tërheqja nga Brexit-i është një vendim që i takon Britanisë së Madhe, pa miratimin e BE-së. Gjithsesi, për këtë duhet domosdoshmërish një referendum i dytë për të certifikuar edhe politikisht vullnetin e popullit nëpërmjet votës demokratike.
Përgjigja është pozitive dhe ndaj pyetjes “po sikur të fitojë sërish Brexit, çdo të ndodhë”? Kjo është një pyetje absolutisht hipotetike dhe e pamundur të ndodhë për shkaqet që u përmendëm më lart. Praktikisht, si do t’i përgjigjen brexitasit pyetjes asgjësuese “ju lamë plot tri vite, bëtë ç’deshët, ç’kërkoni më”? Aq më tepër që ithtarët e Brexit, Boris Johnson, Farage etj., janë diskredituar keq dhe nuk kanë më guxim të udhëheqin një fushatë të dytë pro Brexit. Gjithashtu, përsëritja e këtij referendumi nuk përbën kurrfarë shqetësimi për krijimin e ndonjë precedenti negativ për demokracinë në të ardhmen. Shmangia në të ardhmen e këtij precedenti kërkon në radhë të parë dhe mbi të gjitha kujdes, analiza për kostot dhe përfitimet e vërteta dhe përgjegjësi nga klasa politike britanike dhe gjetkë.
Dhe nga pikëpamja praktike/organizative, referendumi i dytë është më i lehti e pa kosto për t’u realizuar, për më tepër se BE-ja ka pranuar shtyrjen e afatit të daljes nga BE-ja deri në maj 2020. Në fakt, shkaku dhe arsyeja kryesore për këtë qëndrim elastik të saj është pikërisht që të ketë kohë të mjaftueshme deri në krijimin e kushteve të nevojshme për referendumin e dytë, nëse dështojnë alternativat e tjera të mbetura, sikurse janë dhe gjasat.
Së fundi, vetëkuptohet se dështimi i Brexit është ogur i keq për populistët dhe euroskeptikët, nga një prelud fitoreje në shkallë evropiane, ai po kthehet në një katastrofë të paralajmëruar. Por, ai është padyshim lajm i mirë për forcat progresive dhe demokratike, për një Evropë më të mirë dhe me më shumë “frymë”, aq më tepër tani në prag të fushatës së zgjedhjeve të reja evropiane, si mundësia e parë madhore për të shënuar kthesën dhe fitoren e projektit të reformuar; që në vend të dukurisë “Brexit” për BE-në, të ketë vetëm reformim, thellim dhe zgjerim të mëtejshëm e sa më shpejt edhe drejt Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë. Sepse, vetëm me një “exit” nga Brexit-i dhe jo nga BE-ja, dilemat e tij të shumta hamletiane nuk do të jenë më një makth makbethian, por një odë gëzimi bethovian. Ndaj, Evropa do t’i thotë ngrohtësisht Britanisë së Madhe “Welcome back home”!