Prej 9 marsit të këtij viti ka hyrë në fuqi ligji “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, ku Ministria e Drejtësisë është garante si organ mbikëqyrës për zbatimin e plotë të ligjit.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ndau sot në rrjetet sociale një video ku shpjegohen përfitimet e qytetarëve prej këtij ligji.
“Ti ke vendosur të blesh një shtëpi dhe për të bërë investimin më të madh të jetës tënde ke nevojë për këshillim profesional. Me qëllim shmangien e informalitetit në tregun e pasurive të paluajtshme Ministria e Drejtësisë ka hartuar ligjin për rregullimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, i cili pas miratimit në Kuvend ka hyrë në fuqi më 9 mars të vitit 2022”, thuhet në videon e publikuar nga Manja.
“Ligji garanton ligjshmërinë në ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, duke mbrojtur si interesat e ligjshme të ndërmjetësve të certifikuar për ushtrimin e këtij profesioni, ashtu edhe të çdo qytetari ose qytetareje që dëshiron të kryejë një veprim juridik me objekt një pasuri të paluajtshme.
Me qëllim ushtrimin e profesionit në përputhje me kuadrin ligjor çdo ndërmjetës duhet të certifikohet nga Ministria e Drejtësisë përpara ushtrimit të profesionit si edhe të kryejë trajnime për t’u mundësuar qytetarëve shërbim cilësor.
Ligji parashikon qartë elementet e detyrueshme të kontratës mes palëve, duke u dhënë siguri qytetarëve për kontratën që ata lidhin me një ndërmjetës të certifikuar.
Zbatimi i plotë i ligjit garantohet nga MD si organ mbikëqyrës, i cili me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve, mund të ndëshkojë ndërmjetësin me masa disiplinore nga gjobë e deri në heqje të certifikimit kur konstaton shkelje”, theksohet në videon e publikuar nga Manja.
“Zgjidhni një ndërmjetës të certifikuar për të investuar në një pasuri të paluajtshme. Kështu ne sigurohemi që ti merr një shërbim profesional dhe etik”, përfundon videoja e publikuar nga Manja.