Kremlini paralajmëroi BE-në se do të ketë pasoja në rast se miratohet vendimi për ndalimin e hyrjes së turistëve rusë në bllok.
“Rusia nuk do ta lërë një vendim të tillë pa përgjigje dhe do të mbrojë interesat e qytetarëve të saj”, deklaroi sot në Moskë zëdhënësi Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore TASS.
“Ky është një vendim shumë serioz që po drejtohet kundër qytetarëve tanë”, tha ai.
“Shtetet e BE-së, megjithatë, kanë mbajtur qëndrime të ndryshme”, tha Peskov, duke e quajtur planin e bllokut impulse anti-ruse, që demonstronin një mungesë absolute të arsyes.
Për ditë të tëra, ka pasur diskutime rreth propozimit për të ndaluar hyrjen e qytetarëve rusë në bllok, ndërkohë që banorët po vdesin në Ukrainë për shkak të veprimeve të Moskës.
Deri më tani nuk ka një politikë të koordinuar të BE-së. Gjermania dhe Franca janë kundër propozimit për të ndaluar hyrjen e qytetarëve rusë në BE. Vende të tilla si Republika Çeke, ndërkohë, kanë ndaluar lëshimin e vizave të reja për qytetarët rusë për një kohë të caktuar.
/Argumentum.al