Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Mediat lokale e kanë paralajmëruar prej tre ditësh se Drejtori i Policisë së Shtetit kishte dhënë dorëheqjen pas një përplasjeje me Ministrit e Brendshëm z. Çuçi, por në një prononcim për keto media vetë z.Nano e mohoi një gjë të tillë, por theksoi se kishte “sulme të perqendruara” ndaj figures së tij.
Ndërsa sot, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se, “ky shkarkim lidhet me mos përmbushje të objektivave që kishim vënë në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit”.
Çuçi theksoi se kjo situatë kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit.
Detyrat do t’i ushtrojë nën/drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Tonin Vocaj deri në emërimin e Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.
I pyetur nga mediet për situatën e rendit në vend, Çuçi tha se, “sigurisht puna do të jetë e gjithanshme, por këto që përmendët ju kanë qenë dhe një nga arsyet kryesore që Policia e Shtetit dhe drejtuesi kryesor i Policisë së Shtetit kërkon një reagim më të fortë ndaj gjithë këtyre fenomeneve dhe një menaxhim më efikas”.
Pyetjes së gazetarëve për ndryshimin e kreut të SHISH, Çuçi tha se nuk është shkarkuar, por se është emëruar nën/drejtorin e SHISH Oljan Kanushi.
“Është bërë plotësimi i një vakance të mbetur peng prej kohësh për shkak të kontradiktave apo konfliktit të lindur midis institucionit të presidentit dhe SHISH-it, një vakancë që u plotësua sot pikërisht me z. Kanushi”, sqaroi ministri.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar sa i takon shkarkimit të Gledis Nanos.
Sipas saj, Nano ishte një partner i fortë i SHBA-së dhe kontribuoi kundër terrorizmit dhe si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar
“I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i SHBA-së si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit,” – thuhej në njoftimin e ambasadës në Twitter.
Ndërsa Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se nuk është shpresëdhënës për një përmirësim të funksionimit të policisë shkarkimi i drejtorit të policisë.
Në një deklaratë për mediet nga selia e PL-së, Meta tha se bandat janë të lidhur me pushtetin dhe drejtuesit e policisë në qarqe janë në shërbim të të politikës rilindjes.
“Të gjithë e dinë që lidhet e bandave janë të drejtpërdrejta me kryeministrin, se lidhjet e tyre janë të drejtpërdrejta me ministrat me kryetaret e grupeve të deputeteve sipas qarqeve. Kjo është arsye që jo vetëm shumë drejtuese të policës në qarqe janë në shërbim të të politikës rilindjes dhe të përzgjedhur prej saj vetëm për qëllime politik, korruptive, kriminale elektorale, por që edhe nuk kanë lidhje me zinxhirin komandues të policisë së shtetit. Ndaj askush nuk mund të gënjehet mashtrohet se një shkarkim si ky i sotmi mund të jetë shpresëdhënës për një përmirësim të funksionimit të policisë dhe integritetit të saj apo të depolitizimimt të këtij institucioni për fat të keq partiak”, tha ai
Meta i bëri thirrje Policisë së Shteti që të zbatojnë ligjin dhe mos përdoren nga politika.
“Ndaj është koha që të gjithë llogaridhënien për situatën kriminale në vend për dështimin e rendit publik, për vrasjet që ndodhin në qytetet tona dhe autostradave, ta kërkojnë tek njeriu që komunikon drejtpërdrejt me krimin, që ulet me krimin, që e motivon atë, që e ka ndarë Shqipërinë në principata në ndikimin e patronazhimin e vetë kriminelëve duke dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme funksionimin e ligjit dhe integritetin e policisë. U Bëj thirrje Policisë së Shteti që të zbatojnë ligjin dhe mos përdoren nga politika, të mos bashkëpunojnë me krimin për arsye të porosisë apo nxitjes që mund të marrin nga politikanë të caktuar, sepse ora e ligjit edhe në Policinë e Shtetit po vjen edhe ajo do të rifitojë dinjitetin e humbur nga banda në pushtet”, tha ai.
Gledis Nano prej 6 tetorit të vitit të kaluar u emërua me bujë në krye të policisë pas një karriere premtuese në drejtorinë e Antiterrorit dhe kualifikimeve në Amerikë, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ardi Veliu.
Nano ka një karrierë mbi 20-vjeçare në polici dhe 5 vitet e fundit ishte drejtor i drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit.
Ai është diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia, krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë, dhe në punën e tij ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
/Argumentum.al