Shqipëria do të nënshkruajë nesër në Beograd marrëveshjen për ngritjen e një mekanizmi të garantimit dhe sigurimit ushqimor, të mbajtjes së tregjeve të hapura dhe pa ndërprerje.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se sot Këshilli i Ministrave marrëveshjen që do nënshkruhet mes vendeve të ‘Ballkanit të hapur’ në Serbi.
Në deklaratën për mediet pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Krifca tha se kjo marrëveshje thellon më tej bashkëpunimin mes vendeve të “Ballkanit të hapur”.
“Këshilli i Ministrave sot ka miratuar një marrëveshje që do të firmoset ditën e nesërme në Beograd që ka të bëjë me marrëveshjen mes vendeve të ‘Ballkanit të hapur’ për ngritjen e një mekanizmi të garantimit dhe sigurimit ushqimor, të mbajtjes së tregjeve të hapura, pa ndërprerje e pa përcaktuar asnjë tavan, siç ka ndodhur në muajt e kaluar, pa përmendur asnjë kuotë. Pra, një marrëveshje të një tregtie të lirë të pacenuar nga efektet e luftës në Ukrainë të cilat kanë krijuar një ndërprerje të zinxhirit ushqimor në të gjitha vendet e Europës apo të botës”, sqaroi Krifca.
Ajo theksoi se kjo marrëveshje thellon më tej bashkëpunimin mes vendeve të “’Ballkanit të hapur’ dhe krijon një siguri më tepër për konsumatorët dhe qytetarët e vendeve të ‘Ballkanit të hapur’”.
Gjithashtu, ditën e nesërme, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” do të mbahet një panair ku pritet të marrin pjesë 26 ekspozues nga Shqipëria./ata