Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.
Kjo e fundit, ka kërkuar që ta vizitojë Kosovën me datën 5 shtator 2022, raporton RTK
“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, kanë konfirmuar për RTKlive nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, fillimisht do të ndalet në Mitrovicën e Veriut, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës.
Pas kësaj është planifikuar një vizitë në Manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit e Zubin Potokun.
Zyra e ashtuquajtur për Kosovën bën të ditur se vizita e kryeministres së Serbisë në Kosovë është kërkuar që t’i lejohet të enjten, më 1 shtator, 72 orë para vizitës, në përputhje me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare, raporton RTKlive.
“Vizita e kryeministres së Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiq, në Kosovë ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, në kuadër të së cilës është e vetmja rrugë për të arritur mbijetesën dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kjo do të jetë vizita e parë që kryeministrja e Serbisë do të bëjë në Republikën e Kosovës.
/Argumentum.al