Kukësi, i pari qytet në botë i nominuar për Nobelin e Paqes. Sot, mban nga Eurostat rekordin si rajoni më i varfër në Shqipëri dhe Evropë.
Rrugët janë thuajse bosh, ndërsa kafja pihet me orë të gjata. Në treg shitet e blihet pak. Shpesh edhe me lista.
Shpresa për të luftuar papunësinë është emigracioni.
Ergysi, punon si kamarier. Nuk i ka mbushur të 20-tat, por ka provuar 2 herë të largohet nga Shqipëria. Thotë se Kukësi nuk i ofron asnjë mundësi për të ardhmen.
“Të rinjtë në Kukës nuk kanë asnjë mundësi për të ardhmen. Më mendjen time dhe të rinjve kuksianë është largimi që këtu, por tani po punoj si kamarier, të kaloj kohën, thotë ai.
Rreth 3,500 familje kuksiane emigruan drejt vendeve të BE-së në vitin 2015. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shërbimit Social, 6,000 individë mes tyre, ishin të papunë. Pas refuzimit të azilit, vetëm 135 familje të regjistruara në Qendrën e Informimit u rikthyen.
“Faktori kryesor ka qenë ekonomia e tyre shumë e ulët dhe papunësia. Nuk ka qenë dëshira e tyre që të rikthehen. Kemi probleme me ri-integrimin e tyre”, thotë Jonida Halilaj, këshilluese në Qendrën e Informimit.
Sipas INSTAT, të ardhurat për frymë në Kukës janë 314 mijë lekë në vit. Megjithatë këtu nuk llogariten të ardhurat e siguruara nga emigrantët. Shumë prej familjeve jetojnë me remitancat, mes tyre edhe nga ato që në zyrat shtetërore janë të regjistruara në skemën e ndihmës ekonomike.
40% e popullsisë trajtohet me ndihmë ekonomike. Familja Zelaj është njëra prej tyre. Burimi i të ardhurave për 5 anëtarët e saj është ndihma sociale dhe këto bagëti.
“Bujqësia është sektori që siguron nivelin më të lartë të të ardhurave dhe sektori kryesor i punësimit në Kukës. Po vetë banorët shprehen se sfidat nuk janë të pakta”
Në fshatin Shtiqën tokat bujqësore mbillen kryesisht me grurë. 44-vjeçari Ajet Basha thotë se bujqësia nxjerr “bukën e gojës”, por nuk e lehtëson jetesën. “Punoj vetëm për të mbajtur familjen. Nuk investoj dot sepse nuk subvencionohemi nga shteti, nuk kemi treg shitje”.
Numri i punëkërkuesve në Kukës ka rënë, por mosha e tyre është rritur. Tani më shumë kërkesa për t’u punësuar ka nga 50-vjeçarët, të cilët e kanë më të vështirë emigrimin.
Ka lindjet më të larta në shkallë vendi, një paradoks me statusin që mban si qyteti më i varfër. Paradoks me këtë status dhe me 40 përqind të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, janë edhe ndërtimet e reja për banesa në fshatra e qytet. Gjithçka duket se është ndërtuar mbi remitancat.
Liqeni dhe minierat, mbeten pasuri kombëtare, por asnjë prej tyre nuk shfrytëzohet, pasi ky qytet prej shumë vitesh sheh nga emigracioni. Dhe me kthimin nga emigracioni, pakkush investon për të jetuar këtu.
Të dhënat tregojnë se kuksianët janë po ashtu ndër të parët në hartën e lëvizjeve demografike, me destinacion kryeqytetin.