Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, bashkia e Tiranës dhe Arqidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës nënshkruan një marrëveshje memorandumi për vendosjen e një memoriali për Shenjtoren shqiptare në kryeqytet.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një lajm i shumëpritur nga të gjithë shqiptarët.
Prej kohësh kemi pasur një ëndërr të madhe, për të vendosur në Tiranë një shtatore të Nënë Terezës. Nuk besoj se ka moment më të mirë – 30 vite pasi Shqipëria ka vendosur marrëdhëniet me Vatikanin, 25 vite pas kalimit në amshim të Nënë Terezës, Shën Terezës, gruaja me trupin e vogël, por me veprën e madhe – për t’i celebruar të gjitha këto. Sot fillojmë rrugëtimin drejt ndërtimit të shenjtores së Nënë Terezës mbi kodrat e Liqenit Artificial, në zonën e njohur si “Lapidari”, ndaj është vërtet një bekim i madh për qytetin tone”, tha Veliaj.
Arqipeshkvi Metropolit të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj F.d.C. falënderoi kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për lajmin e mirë në këtë ditë të veçantë për gjithë shqiptarët.
“Unë i jam shumë mirënjohës Zotit për këtë frymëzim, e pikërisht falënderoj kryetarin e bashkisë, Erionin, dhe zotin Kryeministër, sepse realisht kjo ide ka gjetur edhe bekimin dhe bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe Selisë së Shenjtë. Nënë Tereza na bashkon të gjithëve. Kështu që mendoj se kjo pikë do të jetë një pikë bashkimi për të gjithë, pa asnjë formë ndasie ose kategorizimi”, u shpreh ai.
/Argumentum.al