Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se kjo parti do të organizojë javën e ardhshme protestë para inceneratorit të Tiranës.
Në një deklaratë për mediet, duke denoncuar djegien e mbetjeve në Shijak, Meta bëri të ditur se protesta do të mbahet të martën e ardhshme tek inceneratori i Tiranës.
“Protestën e parë Partia e Lirisë duke ftuar të gjithë ata që kanë dëshirë të protestojnë duke ftuar edhe ekspertë më të mirë të angazhuar të fushës së drejtësisë, mjedisit dhe menaxhimit të këtyre çështjeve kaq të rëndësishme, do ta organizojë pas një jave në orën 18:00 tek inceneratori i Tiranës”, theksoi Meta.
Meta u shpreh se “dënojmë sulmin kimik të Ramës dhe të bandës së Rilindjes në Shijak kundër banorëve jo vetëm të Shijakut por dhe Ndroqit, Xhafzotajt, Romanatit, zonës së plazhit, Golemit, ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë”.
“Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë pasi dje në mbrëmje në mënyrë të qëllimshme janë djegur tonelata me plehra të cilat kanë qenë të depozituar midis zonës së Hardhishtës dhe Romanatit dhe kjo është bërë qëllimisht në mënyrë që gjatë natës të mos kishte reagime, të mos kishte mundësi për media apo politikanët të reagonin. Ndërkohë të gjithë banorët e Shijakut e dinë për presionin që u bëhet që të mos flasin për depozitimin e mbetjeve pranë shtëpive të tyre. Kam marrë foto dhe mesazhe nga banorët për problemin e mbetjeve. Sot nuk po i besoja pamjeve që po me dërgonin vetëm kur u mor vesh që po shkoja unë u nisën dhe dy zjarrfikëse gjoja për të fikur zjarrin”, tha Meta.