Nga Mal BERISHA
SFIDA BRITANIKE NR 18
KUNDER RICHARD HODGES
Viti 1861
GEORGE FINLAY
“Historia e Revolucionit Grek do të ishte shpesh tepër e mugët, nëse nuk i jepet rëndësia e duhur elementit shqiptar, i cili mbushte ushtrinë e Perandorisë osmane. Nuk ishte diçka e pazakonshme në Greqi dhe në Maqedoni po të shihje fëmijët e osmanllijve tek vishnin me krenari fustanella, ose fundet e bardha të Toskëve. Ishte fama e shqiptarëve në jetën ushtarake që i shtyu grekët e kohëve të reja të përshtasnin fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar”
Studiuesi skocez George Finlay (1799-1875), ishte mbështetës i vendosur i pavarësisë së Greqisë nga otomanët. Ai shkoi në Greqi në vitin 1823, ku takoi edhe Lord Byron – nin. Pas pavarësisë së Greqisë ai jetoi në Atikë dhe më vonë në Rrugën Adrianou në rajonin Plaka të Athinës, i cili ishte i banuar në shumicë prej folësve të shqipes. Ai iu kushtua shkrimit të historisë së Greqisë dhe mendohet se kishte ndikim në politikën greke. Historinë e Greqisë ai e botoi në shtatë vëllime të titulluar “Historia e Greqisë prej pushtimit të saj nga romakët, deri në kohët e sotme” (Oksford 1877). Ai kishte lidhje me studiuesin gjerman Johan Georg von Hahn, me të cilin kishte korrespondencë. Në librin e tij “Historia e revolucionit Grek” (Edinburg & London 1861) na jep një pamje të detajuar të pranisë shqiptare në Greqinë Qendrore në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Po ashtu ai shpjegon origjinën shqiptare të “fustanellës”, si dhe fatin tragjik të suliotëve në kohën e Ali Pashës.
Merita më e madhe e këtij studiuesi qëndron tek paanësia e tij në pasqyrimin e saktë dhe të vërtetë të gjendjes së shqiptarëve në Greqi edhe pse ai vetë njihet si një dashamirës i Greqisë. Pikërisht kjo e bën shumë më të besueshëm atë dhe faktet që ai parashtron. Realisht ai në këtë libër parashtron konsiderata shumë interesante për ne, shqiptarët. Ndoshta nganjëherë edhe mund të mos na pëlqejnë. Por fakti që ai nuk është një studiues lajkatar i një pale, por një pasqyrues i realitetit në çdo dimension, na bën të marrim për bazë ato që thotë dhe t’i pohojmë në mënyrën më serioze. Një ndër konstatimet e tij të goditura është ky i mëposhtmi.
“Hidriotët e çdo rangu shfaqin karakterin e veçantë të racës shqiptare. Ata janë krenarë, të rëndë në sjellje, të rrëmbyeshëm dhe lakmitarë. Krerët e tyre ishin xheloz dhe këmbëngulës, njerëz të vrazhdë dhe të dhunshëm. Por të dyja palët zotërojnë disa virtyte të sprovuara; ata dallohen prej grekëve, nga dashuria që kanë për të vërtetën dhe nga ndershmëria me të cilën përmbushin çdo zotim. Një pjesë e konsiderueshme e tregtisë bregdetare në Arkipelag ishte në duart e shqiptarëve të Poros, Kastrit dhe Kranidit, të cilët zotëronin shumë anije të zbukuruara. Mbi këtë popullatë detare Hidriotët dhe Spetciotët shfaqin epërsi”.
E tillë ishte pozita e popullsisë shqiptare në Greqi, ku vendbanimet e tyre ishin relativisht të kohëve të reja siç i përshkruan ky autor
“Në rajonet e veta amtare rëndësia e saj politike dhe ndikimi moral ishte në mënyrë konstante në rritje gjatë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe kishte arritur në pikun e fuqisë së vet në fillimin e revolucionit Grek. Në Shqipëri një pjesë e konsiderueshme e popullsisë kishte përqafuar fenë muhamedane, por myslimanët shqiptarë ishin të padëshirueshëm për osmanët dhe të urryer prej grekëve. Feja vështirë të ishte një çështje ndërgjegjeje për shumicën. Ata ishin më pak fanatikë se turqit dhe më pak supersticiozë se grekët. Lakmia e tyre ishte e pakufi dhe për flori shqiptari mysliman i shërbente me dëshirë një padroni të krishterë, ndërkohë që një i krishterë shqiptar, për flori i shërbente një padroni mysliman, edhe nëse shërbimi duhej bërë me vepra të përgjakshme”.
“Është rrjedhojë e admirimit të shqiptarizmës që oborri i Mbretit Oto, i cili mori aspektin melodramatik dhe shkëlqimin me imitimin e gjërave të pasura dhe të shkëlqyera që e rroku vëmendjen e Child Haroldit në galerinë e pallatit të Tepelenës”.
Tek Finley të veçantat e shoqërisë shqiptare vihen re më së shumti në mënyrën e jetesës midis atyre, të cilët janë pronarë të tokave. E tërë kjo klasë cilësohet si më poshtë:
“Ka lindur për të mbajtur armët. Pronarët e mëdhenj të tokave janë kapitenët, zotëruesit fshatarë janë ushtarë ose kusarë. Pronarët e tokave, të mëdha ose të vogla, kanë tufa bagëtish, të cilat japin me qumësht, djathë, lesh, pastaj vaj ulliri dhe pemë frutore”.
Proud to be Albanian!
/Argumentum.al