Pas mbylljes së kolegjit ‘Mehmet Akif’, Ministria e Arsimit dhe Sportit dha urdhër në datën 15 shtator që të mbyllej edhe kopshti “Zubeyde Hanim”, pjesë e shoqërisë ‘Turgut Ozal Education’, një protestë është mbajtur këtë të enjte në ambientet e jashtme të Kryeministrisë nga prindërit e fëmijëve të kopshtit “Zübeyde Hanım”, të “Turgut Ozal”.
Prindërit e kanë cilësuar vendimin e Këshillit të Ministrave për mbylljen e kopshtit të padrejtë dhe kërkuan nga ministrja e Arsimit Evis Kushi rishikimin e tij.
Ata u shprehën se nuk do të ndalen së protestuari deri në arritjen e qëllimit të tyre.
Prindërit kishin marrë me vete dhe pankarta dhe fëmijët e tyre të moshave 3-6 vjeç që ishin pjesë e këtij kopshti. Ndërkohë në bulevard u vendosën dhe tavolina dhe mjete të tjera për vogëlushët, si lapsa e ngjyra. Pamje të trishta këto pasi fëmijët sot do duhet të ishin në kopësht dhe jo në rrugë!
“Sot protestojmë në emër të 253 fëmijëve që gjenden në shtëpitë e tyre me prindërit dhe me gjyshërit. Sot protestojmë në emër të 25 mësuesve të cilët nuk e dinë çfarë do të bëjnë dhe janë në mes të katër rrugëve. Sot unë protestoj për djalin tim.
Zoti kryeministër duhet t’ia kurseje këtë skandal brezit të ri. Duhet të ishte mjaftuar me brezin tonë që jemi përballur me padrejtësi të jashtëzakonshme, para dhe pas viteve ‘90.
Ky është absurdi më i madh që mund të ndodhte dhe unë nuk e besoj se si erdhi nga dora jote. Unë kam besuar tek ty dhe ti të bësh një skandal të tillë me fatin e fëmijëve është e pafalshmë. Është e pafalshme që të shkëmbehen fatet e fëmijëve me një vendim të marrë aty për aty nga një presion”, tha ajo.
Janë 253 fëmijë që penalizohen nga ky vendim i qeverisë.
Protesta po organizohet nën sloganin “Reago për fëmijën tënd, Protesto për padrejtësinë”.
Kujtojmë se disa ditë më parë, prindërit e fëmijëve të këtij institucioni firmosën një peticion dhe e dorëzuan në MAS për anulimin e vendimit.
/Argumentum.al