Ish-Presidenti Bamir Topi ka dhënë alternativën e tij për zgjidhjen e krizës.
Fillimisht ai tha se vendi duhet të dalë nga bipartitizmi, i cili po varros të ardhmen në Shqipëri.
“Fillimisht duhet të dalim nga bipartitizmi, i cili po varros të ardhmen në Shqipëri. Duhet të hapet sistemi dhe pastaj janë njerëzit që zgjedhin. Janë njerëzit që përcaktojnë mënyrën se si konfirmohet, se si strukturohet Parlamenti dhe përfaqësimi i tyre në qeverisje.
“Jo për shkak të Metës President, institucioni i Presidenti është i dobët. Është i dobët, nuk ka fuqi interlogutore mes palëve sepse në rastin konkret, kushdo që do ishte President, ishte një President që votohet Politikisht.
Në rastin konkret është votuar nga socialistët dhe sot paragjykohet nga socialistët për shkak të lidhjeve të tija me opozitën.
Presidenti do bënte mirë t’i thërriste të dyja palët për të nxjerrë në transparencë të plotë mungesë në e vullnetit të zgjidhjes së krizës së njërës palë.
Në këto kushte, e ka parë që një palë nuk do pranojë të ulet në tavolinë, duke konsideruar Presidentin si të paragjykuar”, argumentoi ai.
Më tej ish-Presidenti folu edhe për propozimin e tij, duke kërkuar krijimin e një strukture konsultative, ndoshta dhe të atyre që kanë shërbyer në zyrën e Presidentit të Republikës.
“Palët politike janë ekstremisht të largëta, me një retorike të ashpër. Presidenti nuk dëgjohet dhe nuk besoj se për çdo gjë të drejtohemi tek ndërkombëtarët.
Unë do të propozoja që mund të krijohet edhe një strukturë konsultative, ad-hoc. Ndoshta dhe e atyre që kanë shërbyer në zyrën e Presidentit të Republikës për kaq vite sepse figurat e tyre kanë shkuar për të shërbyer si kryetarë të shtetit dhe duke pasur një mandat në emër të gjithë popullit.
Eksperienca politike dhe njerëzore, do e bënte këtë proces më të përshtatshme për t’i ardhur në ndihmë Presidentit, për të hyrë në negociata të domosdoshme Duhet të dalim nga ideja e tavolinës së ‘Krokodilit”, sepse nuk prodhojnë një situatë normale por vetëm pazare.
Propozimi është që të këtë një pjesëmarrje, angazhim i atyre që i kanë shërbyer në zyrën e kreut të Shtetit, sepse janë dy palë, që jo vetëm janë larg, por s’kanë asnjë predispozitë të komunikojnë mes tyre”, propozoi ai.
Gazetari e pyeti nëse zoti Topi është i gatshëm që ta marrë përsipër këtë iniciative, ai u përgjigj që jo. Edhe një herë ish-Presidenti nguli këmbë që kriza nuk mund të zgjidhet nga ndërkombëtarët, por ekspertët shqiptar, sepse e njohin më mirë situatën në vend.
“Nuk mund të marr përsipër sepse do ishte e tepër. Unë shprehem, por kam besim që ky mesazh do absorbohet edhe nga kolegët e mi që kanë qenë Presidentë.
Nuk kemi pse të presim që dikush duhet të vij, sepse kemi parë që kanë ardhur misione, kanë ndenjur 24 orë dhe janë larguar.
Situatën e njohim neve dhe përgjegjësi politike duhet të kenë të gjitha palët. Problemi është se duhet të jemi të kujdesshëm, të parashikojmë që gjërat mund të vijnë duke u agravuar. Ata që e vuajnë janë qytetarët. Futja në dialog është siguri dhe jo dobësi .
Ai që pranon dialogun, të jetë më interlogutor dhe do preferoja të ishte tavolinë serioze me garant moral politik që gjerat të zgjidhen sa më shpejt. Në rast se do kishte një thirrje të tillë, një thirrje që nuk është pjesë e konfliktit, atëherë çdo palë që nuk do pranonte të futeshe në dialog, do përktheheshe si humbje e tyre politike”, përfundoi Topi.