NATO-ja kremton në Uashington nga e mërkura dy ditë me radhë 70 vjetorin e themelimit të saj. Pas konfrontimit midis Ukrainës dhe Rusisë në Detin e Zi, NATO-ja do të dërgojë atje anije të tjera të Aleancës.
Të mërkurën dhe të enjten NATO-ja kremton në Uashington 70 vjetorin e themelimit të saj. Në kryeqytetin e SHBA, në 4 prill 1949 dymbëdhjetë shtete të Evropës dhe të Amerikës së Veriut nënshkruan Marrëveshjen e Atlantikut Verior. Sot aleanca e NATO-s ka 29 anëtarë: Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Estonia, Franca, Greqia, Islanda, Italia, Kanadaja, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Republika Çeke, Turqia, Hungaria, Britania e Madhe dhe SHBA.
Shkallëzimi i konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë në fund të nëntorit në Detin e Zi po e bën aleancën mbrojtëse perëndimore që të angazhohet më fort për sigurinë edhe në Detin e Zi. Pas konfrontimit midis Ukrainës dhe Rusisë në Detin e Zi, NATO-ja do të dërgojë atje anije të tjera të Aleancës. Veç kësaj do të mbështeten rojet bregdetare të Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Intensifikohet trajnimi i mbrojtësve ukrainas dhe gjeorgjianë të kufirit
Siç bëri të ditur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s këtë javë në Uashington do të vendoset që të intensifikohet trajnimi i mbrojtësve ukrainas dhe gjeorgjianë të kufirit. Veç kësaj do të ketë vizita të tjera të anijeve të NATO-s, manovra të përbashkëta dhe një intensifikim të informacionit. “Modelet agresive të sjelljes së Rusisë na shqetësojnë”, tha Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tërhoqi më tej vëmendjen, që anijet e NATO-s e kanë rritur praninë e tyre në Detin e Zi që vitin e kaluar. Pas 80 ditësh prani në vitin 2017, në vitin 2018 qenë 120 ditë.
Roja bregdetare ruse hapi në fund të nëntorit zjarr kundër tri anijeve të marinës ukrainase dhe i pengoi ato me dhunë që të mos kalonin ngushticën detare midis Detit të Zi dhe Detit Azov. Anijet megjithë ekuipazhin u ndaluan. 24 detarët ndodhen deri sot në paraburgim.
Bazë e NATO-s në Poloni
Stoltenbergu konfirmoi veç kësaj në Bruksel, që NATO do të vërë në dispozicion 260 milionë dollarë (231,4 milionë euro) për ndërtimin e një baze në Poloni. Këtu bëhet fjalë për një marrëveshje midis Uashingtonit dhe Varshavës, sipas së cilës baza në Powidz do të shërbejë për strehimin e armëve, municionit dhe automjeteve të blinduara të ushtrisë së SHBA.
Investimi është pjesë e strategjisë së NATO-s për ta përshpejtuar zhvendosjen dhe përforcimin e trupave të saj. Gjithsej aleanca në katër vitet e shkuara ka investuar 2,3 miliardë dollarë në projekte për një aftësi më të madhe të zhvendosjes së trupave.
Që prej konfliktit të Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia pesë vjet të shkuara, NATO-ja e ka shtuar dukshëm praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore. Në vitin 2017 ajo stacionoi në tri shtetet baltike si dhe në Poloni rreth 4000 ushtarë. Gjermania mori drejtimin e një batalioni në Lituani./dw