Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se bazuar në ligjin nr.9920 datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në RSH, i ndryshuar, si dhe në udhëzimin nr. 10, datë 15.03.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, një individ me të njëjtin numër të identifikimit personal (ID), mund të regjistrohet vetëm një herë si person fizik tregtar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe pajiset vetëm me një numër unik të identifikimit të tatimpaguesit (NUIS/NIPT).
“Referuar ndryshimeve të fundit ligjore, Administrata Tatimore sqaron se tatimpaguesit e regjistruar si Persona Fizik, mund të pajisen me një NUIS/NIPT të ri nga QKB-ja, vetëm mbas çregjistrimit të NUIS/NIPT-in ekzistues. Nëse tatimpaguesit do të ushtrojnë aktivitet në një vend të ndryshëm nga adresa kryesore, por do të mbajnë të njëjtin NIPT/NUIS, atëherë tatimpaguesi personi fizik, duhet të pajiset me një certifikatë me NIPT/NUIS të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes së re.
DPT sjell në vëmendje se, tatimpaguesit persona fizik, të cilët janë të pajisur me më shumë se një NIPT, brenda datës 31.08.2019, duhet të aplikojnë në QKB për mbylljen e NIPT-ve të tjera dhe mbajtjen e një NIPT-i kryesor.
Në rast të kundërt, Administrata Tatimore do të bëjë vlerësimet alternative, bazuar kjo në nenin 71, germa “f”) të ligjit “Për procedurat tatimore”, lidhur me deklarimin e të ardhurave dhe ndryshimin e përgjegjësive tatimore në NUIS/NIPT-in që do të përcaktojë tatimpaguesi.
Tatimpaguesi, NUIS/NIPT-et e tjera mund t’i regjistrojë si adresa sekondare (dytësore) të NUIS/NIPT-it kryesor” thuhet në njoftimin e Tatimeve./monitor