Fondi Monetar Ndërkombëtar del kundër qeverisë për ndryshimin e sistemit fiskal në vitin 2018, ku reduktoi një sërë taksash për bizneset. Në raportin e publikuar së fundmi, FMN bën një analizë të detajuar të ndryshimeve fiskale, sipas së cilës kanë ngushtuar bazën tatimore dhe kanë ndërlikuar administrimin e taksave, duke mos rezervuar këtu kritikat për uljen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla. “Norma Tatimit mbi Fitimin është reduktuar nga 15 në 5 për qind për rreth 11,000 biznese. Nga ana tjetër, reduktimi i pragut të TVSH-së futi rreth 13,000 mikro biznese në sistemin e TVSH-së nga prilli i vitit 2018 dhe kjo pati ndikim minimalist te të ardhurat”, shkruhet në raport. Nga ana tjetër, thuhet se paketa fiskale e 2019-ës pothuajse përgjysmoi taksën mbi dividentin nga 15 në 8 për qind dhe reduktoi TVSH-në për sektorë të veçantë. FMN konstaton se disa nga këto ndryshime komplikojnë regjimin e thjeshtë dhe të mirëstrukturuar të taksave dhe krijojnë mundësi të reja për shmangien e taksave, duke marrë si shembull manipulimin e të ardhurave të korporatave, duke i deklaruar si dividend. Krahas vlerësimeve, FMN-ja në raportin e publikuar jep edhe një serë rekomandimesh për atë që duhet bërë më tej. Në listën e rekomandimeve janë edhe rimbursimi i TVSH-së, procedurat e apelimit apo emërimi i zëvendësdrejtorit të tretë të Tatimeve.
Rekomandimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandon qeverisë që të planifikojë takime më të shpeshta të Komitetit të Menaxhimit të Reformës për të nxitur reforma dhe rishikimin e planit strate-gjik dhe të emërojë zëvendësdrejtorin e tretë në rolin vakant sa më shpejt të jetë e mundur, gjithashtu përshpejtojë plotësimin e vendeve të lira në të gjithë strukturën. “Ndryshimi i kuadrit ligjor për t’i dhënë DPT-së autoritet më të madh për të rregulluar organizimin e strukturave dhe për të shpërndarë burime. Krijimi i një procesi të fuqishëm të qeverisjes për menaxhimin e kontratës së re të IT-së në nivel më të lartë në DPT. Zhvillimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për të ndërtuar një kulturë të fortë integriteti në të gjithë fuqinë punëtore për të adresuar rreziqet nga korrupsioni janë masat që duhet të marrë qeveria”, – thotë FMN-ja. Një tjetër masë që duhet të marrë qeveria është përmirësimi i Regjistrimit dhe Shërbimeve të Tatimpaguesve. Qeveria duhet të propozojë një ndryshimi legjislativ, që lejon DPT të përditësojë regjistrin e tatimpaguesve, ku ka prova të qarta nga raportet në terren se regjistrimi i të dhënave është i pasaktë. Një tjetër detyrë është zhvillimi i një programi për të testuar saktësinë e regjistrit të tatimpaguesve, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke përfshirë edhe saktësinë e regjistrit pasiv. Zhvillimi i një strategjie për shërbimin ndaj tatimpaguesve dhe vendosja e masave të qarta qeverisëse për të drejtuar zbatimin në mënyrë të koordinuar të kësaj strategjie dhe angazhimi e përfshirja e tatimpaguesve dhe ndërmjetësve të këtyre taksave më tepër si dhe hartimi i proceseve, me qëllim thjeshtësimin e pajtueshmërisë dhe uljen e kostove. Zgjerimi i gamës së udhëzimeve teknike interpretuese të publikuara janë detyrat e qeverisë për shërbimin ndaj taksapaguesve.
Detyrat për ministrinë
1. Ministria e Financave dhe Ekonomisë për të përmirësuar parashikimin e të ardhurave tatimore neto dhe për të siguruar që fondet janë në dispozicion duhet të shlyejë menjëherë të gjitha pretendimet legjitime të rimbursimit të TVSH-së.
2. Ministria e Financave dhe Ekonomisë të kërkojë një ndryshim legjislativ për rimbursimin e kredive pa ndonjë pagesë minimale pa afat dhe pa detyrimin që tatimpaguesit të dorëzojnë një kërkesë të veçantë për rimbursim.