Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se imponimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në lidhje me blerjen e sistemit raketor rus S-400 nga ana e Turqisë nuk përputhet me frymën e aleancës, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë shtypi në Washington, Çavuşoğlu tha se deklarata e lëshuar nga Departamenti i Shtetit në lidhje me takimin midis tij dhe sekretarit amerikan Mike Pompeo nuk reflekton gjuhën e përdorur gjatë takimit.
Sipas një deklarate të publikuar nga Departamenti i Shtetit në emër të sekretarit amerikan, Pomepo ka thënë se ka paralajmëruar Çavuşoğlun për “pasojat potencialisht shkatërruese të veprimeve ushtarake të njëanshme turke” në rajon.
“Në lidhje me këtë deklaratë, isha atje dhe e dimë se çfarë kemi biseduar dhe një gjuhë e tillë nuk është përdorur asnjëherë, për Sirinë, veçanërisht, ata kurrë nuk përmendën gjëra si veprimet e njëanshme të Turqisë”, tha Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu gjithashtu përsëriti komentet e bëra një ditë më parë, duke thënë se ai propozoi që të ketë një ekip për të vlerësuar se sistemi i mbrojtjes raketore S-400 nuk do të përbëjë kërcënim për NATO-n.
“Unë propozova të kemi një ekip teknik ose një grup pune të përbashkët për të siguruar që ky S-400 që ne e kemi blerë për nevojën tonë, është një sistem i mbrojtjes dhe nuk do të përbëjë asnjë rrezik apo kërcënim për sistemet e NATO-s, duke përfshirë F-35”, theksoi kryediplomati turk.
“Imponimi në lidhje me sistemin raketor S-400 nuk përputhet me frymën e aleancës”, shtoi ai.
Turqia vendosi në vitin 2017 të blejë sistemin S-400 pas përpjekjeve të zgjatura dhe të pasuksesshme për të blerë sistemet e mbrojtjes ajrore nga SHBA.
Çavuşoğlu theksoi se Turqia ka nevojë urgjente për një sistem të mbrojtjes ajrore për shkak të “kërcënimit në fqinjësi” dhe tha se NATO nuk është ende në gjendje të mbulojë hapësirën ajrore të vendit.
Vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus S-400 ka çuar në tensione me Washingtonin, i cili në fillim të javës pezulloi ofrimin e pjesëve dhe shërbimeve të nevojshme për Turqinë për pranimin e avionëve luftarakë F-35.
Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar që Turqia duhet të blejë sistemin raketor amerikan Patriot në vend të sistemit rus S-400, duke argumentuar se ai nuk përputhet me sistemet e NATO-s dhe ekspozon avionin F-35 ndaj mashtrimeve të mundshme ruse, duke përfshirë përpjekjet e fshehta për të marrë informacione kritike mbi avionin, që më pas mund të përcillen në Rusi.
Në përgjigje të pozicionit të SHBA-së se sistemi raketor S-400 është i papajtueshëm me pajisjet ushtarake të NATO-s, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu të mërkurën tha se sistemi do të shërbejë vetëm për përdorim të Turqisë.
“Nuk duhet të integrohet në sistemin e NATO-s dhe ky nuk është qëllimi ynë. Është për përdorim vetjak. Ky sistem nuk do të konsiderojë si armik asnjë sistem të NATO-s, përfshirë avionin F-35”, ka thënë kryediplomati turk.