Nga Sinan Senyurt, BILD
Krejt papritur, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka rënë në qetësi. Ai është zhdukur që prej disfatës zgjedhore të AKP-së islamiko-konservatore. Nuk është dëgjuar apo parë gjë nga ai.
Funksionarët e partisë së tij dalin vazhdimisht para medias dhe po përpiqen me çdo mjet të anulojnë zgjedhjet në Stamboll. Pretendimi i tyre: opozita ka manipuluar zgjedhjet. Vetëm shefi i tyre hesht.
Por ku është futur presidenti?
Sipas burimeve të BILD, Erdogan gjendet në vilën e tij në Uskudar, nga ana aziatike e Stambollit. Prej andej po shqyrton disfatën në zgjedhje, ku mes të tjerash partia e tij humbi Ankaranë dhe Stambollin.
Qëllimi i tij është që me një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh, të mendojë se çfarë ndryshimesh nevojiten tani.
Një funksionar tha për BILD: Shefi i AKP është shumë i pakënaqur me këtë rezultat në zgjedhje dhe dëshiron të identifikojë përgjegjësit për këtë humbje. Pritet që të ketë jo vetëm ndryshime të drejtuesve të AKP, por edhe në kabinetin e tij.
Pas humbjes elektorale në Stamboll, presidenti turk nuk ka hequr akoma dorë nga ish-fortesa e tij. AKP njoftoi të mërkurën se do të ketë rinumërim në tetë nga 39 qarqe zgjedhore. Ky ishte një sukses i pjesshëm për AKP, që kishte kërkuar rinumërim në të gjitha qarqet. Kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu i partisë kemaliste CHP fitoi me 25 mijë vota përpara në metropolin me 15 milionë banorë. Ai kërkoi që drejtuesit e procesit zgjedhor ta njohin si kryebashkiak, duke theksuar se rinumërimi nuk do të ndryshojë gjë pasi mund të ketë vetëm gabime të vogla.
Por teksa AKP ka sfiduar rezultatet, Departamenti i Shtetit në SHBA i ka bërë thirrje qeverisë në Ankara që të respektojë rezultatin zgjedhor. Në kundërpërgjigje, Turqia tha se kjo është një ndërhyrje në punët e brendshme.
Mes dy vendeve ka pasur tensione të konsiderueshme për një kohë të gjatë. Së fundmi, qeveria e Uashingtonit ndaloi furnizimin me avionë luftarakë të Turqisë pas një mosmarrëveshje për blerjen e një sistemi të mbrojtjes ajrore nga Rusia.