Me një LDK që po e konsideron vetën fituese të zgjedhjeve ende pa u mbajtur ato, me një pushtet që po degradon, me Kosovën që po zbrazet çdo ditë, iniciativa e lideri të Lëvizjes Vetëvendosje për ta rritur rezistencën qytetare është rruga e vetme që na ka mbetur.
Ka kohë që nuk kemi dëgjuar deklarata të artikuluara në këtë formë: Kur këta (për liderët e vendit) kanë probleme me njëri tjetrin, ata thjesht e rrisin shkallën e hajnisë edhe pajtohen.
Pas problemeve shëndetësore, që thuhet se i kishte, Albin Kurti është ringjallur. Është deklaratë e varfër nëse themi që ai i ka munguar vetëm Lëvizjes Vetëvendosje.
E bindur që fitoren në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato mbahen, e kishte në pjatë, Lidhja Demokratike e Kosovës po kridhej poshtë e përpjetë plot me fodullëk, prandaj rikthimi i Kurtit në skenë ishte i domosdoshëm, sa për t’i rikujtuar kësaj partie se ka edhe lojtarë të tjerë në këtë lojë.
Me këtë LDK që protestën qytetare nuk e ka fare në menynë e mjeteve demokratike për ta luftuar qeverinë, por që mendon se qeveria luftohet vetëm njëherë në katër vjet, në zgjedhje, rikthimi i Kurtit në skenë ishte i domosdoshëm. Kur fillojnë të mbushen sheshet, me ata qytetarë që ende nuk i kanë mbledhur pandlat, është pikëpyetje e madhe se cili subjekt politik do të dalë i pari në zgjedhje.
Me këtë LDK që më shumë angazhohet ta pengojë Vjosën në garë për pozitën e kryetares së LDK’së se sa korrupsionin, rikthimi i Kurtit ishte imperativ.
Beteja që u zhvillua për taksën, pozicionimi radikal dhe i drejtë i Kryeministrit Haradinaj për këtë temë, sikur e kishte lënë nën hije opozitën si tërësi, e çuditërisht edhe Lëvizjen Vetëvendosja.
Gabimisht po konsiderohej që tash Haradinaj po i luante dy role, edhe atë të kryeministrit, e edhe atë të kryeopozitarit dhe se nuk kishte vend për figura të tjera. U duk që nuk kishte vend më as për Kurtin, i cili me heshtjen e tij, që më shumë gjasë ishte e lidhur më shëndetin e tij, i dha shumë hapësirë këtyre spekulimeve.
Qeverisja e vendit është fushë shumë më e gjerë se sa mbrojtja e kufijve, të cilët në rrethana normale i ruan Kushtetuta. Sido që të jetë, të mos i hyjmë në hak Kryeministrit Haradinaj për kontributin që e dha muajt e fundit. T’ia japim Cezarit atë që i takon Cezarit dhe të rikthehemi pa humbur kohë te qeverisja e vërtetë, ajo që bëhet me buxhetin e Kosovës, që fatkeqësisht, përveç nga mediat, nuk po monitorohej nga opozita.
Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia me më së shumti deputetë në Kuvend, kënaqej vetëm duke i konstatuar parregullsitë. Ata të pyetur se çfarë po bëjnë për ta ndalur këtë trend negativ, kryesisht, i kanë rrudhur krihtë.
Kanë lënë të kuptojnë, gabimisht, që roli i tyre përfundon aty. Sipas kësaj logjike, edhe nëse Kryeministri dhe Kryeparlamentari vendosin ta çmontojnë komplet buxhetin e vendit, LDK thjesht do ta dënojë këtë akt. Ky është një keqkuptim i thellë që kjo parti ka për demokracinë, për pushtetin dhe opozitën. Ata janë aty për të parandaluar e jo për të konstatuar. Mirëpo lideri i kësaj partie e ka shumë më të rëndësishme që të shfaqet kohë pas kohe me statuse në FB për të na iluminuar se si askush nuk paskësh të drejtë të përzihet në punët e brendshme të LDK’së, se sa ta nderojë rolin e tij të kryeopozitarit.
Mirëpo gjërat në këtë jetë janë dinamike. Nëse ti nuk i del zot detyrës, ka shumë mundësi që dikush tjetër do të kërcejë për ta mbushur boshllëkun. Prandaj, siç duket, z. Kurti u shfaq në kohën e duhur me slloganin e duhur, atë të PANhajnisë, ose Gjithëhajnisë.
Deklaratave që “po të kisha mundësi do t’i punësoja vetëm anëtarët e partisë sime” i dilet përpara vetëm në rrugë. Nuk zgjidhet ky problem me debate në Kuvend, e as në studio televizive. Ndonjëherë fjalët nuk mjaftojnë. Prandaj rruga e Kurtit është rruga e duhur. Ajo rrugë është rruga, në të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Është sheshi.
Për ta përmbysur këtë situatë, për ta rikthyer një dinamikë të re politike, Kurti meriton të mbështetët në këtë fazë. Kjo është hera e parë – me sa mua më kujtohet – që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur që të merr rrugët, jo për tema të mëdha kombëtare, por për tema reale, siç është korrupsioni dhe keqqeverisja. Mënyra se si ato po artikulohen nga Kurti është mbresëlënëse.
Me krejt çfarë kemi parë dhe kemi lexuar këto kohë, sigurisht që Kosova po zbrazët dhe do të vazhdojë të zbrazët. Nëse nuk je anëtar imediat i PDK’së dhe AAK’së, do të thotë i një rrethi ultra të ngushtë, fëmijë deputeti dhe ministri, dhe nëse i dëgjon deputetët e këtyre partive duke treguar që kush ka prioritet në punësim, atëherë çfarë tjetër do të zihet në kokën tënde përveç hulumtimit të rrugëve për të ikur nga ky vend, pa e kthyer kurrë më kokën prapa?
Përgjegjësi direkte për një gjë të tillë nuk ka veç qeveria, sepse vendi ynë ka njohur qeveri edhe më të dobëta se sa kjo. Qytetarët ikin të dëshpëruar nga një vend jo pse aty po vidhet, jo pse qeveria nuk po punon si duhet, por pse aty ka vdekur shpresa. Qindra mijëra të rinj dhe të reja sot e konsiderojnë veten të braktisur dhe në mëshirë të fatit. Ata fillimisht janë lënë të pashkollë – ndonjë diplomë edhe mund ta kenë – e tash edhe të papunë.
Kështu që, përpara se të përballemi me zbrazjen totale të vendit, përpara se ta humbim betejën në tavolinë, ia vlen ta bëjmë edhe një përpjekje finale të madhe.
Ose: Këta kanë krijuar institucione aq sa kanë kushëri. Ose: Punësimet po kryhen me lista të dasmave të tyre.