Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në Rinas. Informacionet e para flasin për një grabitje me armë.
Sipas mediave ka pasur rezistencë dhe të shtëna me armë. Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes.
Autorët e grabitjes kanë qenë me një makinë pa targa dhe me mbishkrimin “Hetimi tatimor”.
Ata i kanë dalë para makinës blind të parave me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit, kanë grabitur lekët në pistën e avionit dhe janë larguar. Shuma e grabitur dyshohet të jetë 2 milionë euro.
Grabitja ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën e Rinasit që të çon për në aeroport. Paratë që i përkasin një banke të nivelit të dytë, do të transportoheshin jashtë shtetit. Sipas informacioneve të para nga policia, mësohet se ata kanë qenë të veshur me rroba ushtarake.
Në vendin e ngjarjes ndodhen edhe dy prokurorë të Krimeve të Rënda, Kreshnik Ajazi dhe Ndini Tavani.
Ndërkohë mësohet se pranë vendit ku u grabit blindi me para, nga persona ende të paidentifikuar, një automjet dyshohet të jetë duke u djegur.
Dyshimet janë që makina t’u përkasë autorëve, të njëjta si edhe në grabitjet e tjera, autorët i djegin makinat për të humbur gjurmët.
Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.
Në vitin 2017, 1.5 milionë euro u grabitën në mes të ditës në rrugën e Rinasit, ku autorët e armatosur zbritën nga makinat e tyre duke i drejtuar armët personave në blindin me paratë.
Në vitin 2015 tjetër grabitje ndodhi në ambjentet e brendshme të aeroportit të Rinasit.
Informacion paraprak i policisë
Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.
Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.
Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.
Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.