Nga Stefani Nova
U ngrit gjithë shteti në këmbë. Të gjithë duke ndjekur një radhë respektive të caktuar. Nga i pari tek i fundit. Për të arritur deri te kreu i shtetit, që përmendi madje publikisht edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Na u kthye kështu çështja e Rinasit, në kryefjalën e ditës të shqiptarëve. Për 10 milionë euro…
Një shumë modeste kjo në fakt, po ta krahasojmë me atë prej rreth 1 miliard eurosh që Kontrolli i Lartë i Shtetit përmend në çdo raport të tij vjetor, për vjedhjet që i bëhen arkës së përbashkët të shqiptarëve, po nga shqiptarët. Në këtë rast, të kollarisur e “të kondicionuar” nga ajri i freskët i zyrave të shtetit në verë dhe i ngrohtë në dimër. Dhe aspak nga disa grabitës të zakonshëm, që morën përsipër realizimin e atij akti që i la të gjithë gojëhapur, madje edhe vetë shtetin.
Në këtë këndvështrim, këta “grabitësit” e shtetit, më ngjan se janë edhe më profesionistë. Përveçse na vjedhin në një vit, 100-fishin e asaj që po çalltisim me zë të lartë prej dy ditësh nëpër televizione, duket se na e bëjnë në një mënyrë edhe më të sofistikuar. Duke na buzëqeshur, madje edhe duke na tallur. Dhe ne? Ne nuk dalim aspak në konferenca të posaçme shtypi të vëmë alarmin publik për ta. Madje, as nuk shqetësohemi fare kur Kontrolli i Lartë i Shtetit i jep shifrat tronditëse përmes ekranit të vogël të televizorit. Të mos them, se pjesa më e madhe e qytetarëve të këtij vendi e ndërron direkt kanalin teksa sheh titullarin e tij, ngaqë i duket si një “ngatërrestar shifrash”, që ngatërrojnë edhe vetë kokën e tyre. Më mirë një serial turk, po, po, pse jo edhe indian, që flet ende për dashuri.
Ama këto dy ditë, të gjithë nuk i jemi ndarë televizionit. Me ankth, për të ndjekur çdo detaj sesi u grabitën nga disa persona disa mijëra euro. Nëpër kafene, madje njerëzit edhe po zihen me njëri-tjetrin. “Të thashë, mor burrë, se ishin 10 milionë euro dhe jo 2 milionë”…
Eh, medet… Ndoshta nuk e ka keq. Ç’bënë 2 milionë euro, ç’bënë 10 milionë në fund të fundit.
1 miliard euro jo e jo. Se mos kanë lidhje me ne ato…
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
@Argumentum.al