Maqedonia e Veriut sot feston 8 shtatorin, Ditën e Pavarësisë. 31 vjet më parë u mbajt një referendum në të cilin 95 përqind të qytetarëve me të drejtë vote votuan për shtet të pavarur. Në këtë ditë nga sheshi “Maqedonia” u shpall se Republika e Maqedonisë është shtet i pavarur dhe sovran. Pas një dekade mosmarrëveshjeje me Greqinë, në vitin 2020 Maqedonia u bë anëtare e NATO-s, por më pas rruga e integrimeve evropiane u ndalua nga Bullgaria.
Kësaj kthese në historinë e Maqedonisë i parapriu Deklarata e Pavarësisë e miratuar nga Kuvendi i parë shumëpartiak maqedonas. Në janar të vitit 1991, deputetët zgjodhën Kiro Gligorovin president të parë të Republikës së Maqedonisë së pavarur dhe sovrane.
Shtetësia u krijua më 17 nëntor të atij viti me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, shteti u bë i pavarur monetar edhe me futjen e denarit më 26 prill 1992, si dhe me formimin e forcave të armatosura.
Subjektiviteti juridik ndërkombëtar i shtetit u konfirmua përfundimisht më 8 prill 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shteti u pranua si anëtari i 181-të i plotë i Organizatës Botërore nën referencën e përkohshme Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Shkak për këtë ishte kundërshtimi nga ana e Greqisë për përdorimin e emrit kushtetues.
Pas dekadash negociatash në vitin 2018 me Marrëveshjen e Prespës, Republika e Maqedonisë e ndryshoi emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut, me çka u harrua referenca FYROM dhe emri i ri u bë i detyrueshëm për përdorim të jashtëm, por edhe për përdorim të brendshëm për personat zyrtarë, dokumentet zyrtare dhe për institucionet shtetërore.
Në mars të vitit 2020, pasi Greqia nuk bllokoi më rrugën euroatlantike të vendit, Maqedonia u bë anëtare e NATO-s.
/Argumentum.al