Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se “ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, shkruan Kryeministri Rama.
Në 15 korrik, vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.
Më 7 shtator, kryeministri Edi Rama njoftoi për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit. Rama deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, erdhi pasi u zbulua se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, qëndron Republika Islamike e Iranit.
Ai kërkoi që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohej brenda 24 orëve nga Shqipëria
/Argumentum.al