Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo u shpreh sot se “viti i ri shkollor 2022-2023 nis me kushte më të këqija se më parë”.
“Ky vit nis me 226 mijë nxënës më pak në 15 vjet. Ky vit nis pasi mbi 700 shkolla, të të gjitha niveleve janë mbyllur në të gjithë vendin kurse 90% e shkollave të vendit janë pa ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm ndërkohë që fondet vidhen dhe ndërtohen shkolla me 4-5 milionë euro, domethënë 7-8 herë më të larta se në Europë”, tha Garo.
Sipas saj, “viti shkollor nis në kushte ku 150 000 nxënës do të mësojnë me turne, dhe mbi 50 000 nxënës do të mësojnë në klasa kolektive”.
“Ky vit nis në kohë kur mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit dhe më të keqtrajtuarit e rajonit. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe gjendjen e rëndë në të cilën fillon punën këtë vit sistemi arsimor në Shqipëri, Partia Demokratike fton nxënësit, prindërit e tyre dhe mësuesit të ngrihen në protesta të fuqishme kundër regjimit që po shkatërron sistemin arsimor”, tha Garo.