Ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov dhe disa anëtarëve të delegacionit rus u është dhënë viza për të marrë pjesë në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, i cili hapet sot, bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse.
“Ne presim vizat për pjesën tjetër të delegacionit, si dhe zgjidhjen e shpejtë të çështjeve logjistike, duke pasur parasysh sanksionet e paligjshme, të vendosura nga SHBA-ja, duke bllokuar logjistikën për ardhjen e përfaqësuesve rusë për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, u tha sot Ministria agjencive ruse të lajmeve TASS dhe RIA.
SHBA-ja dhe BE-ja mbyllën hapësirën e tyre ajrore për të gjithë avionët rusë pas fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt.
Në qershor, Lavrov nuk arriti të vizitojë Serbinë për shkak të kufizimeve logjistike – Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionin e ministrit.
Sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të hapet më 13 shtator. Në qendër të sesionit do të jetë Java e Nivelit të Lartë (20-26 shtator) ku do të marrin pjesë krerët e shteteve, qeverive dhe diplomatë të lartë të vendeve të ndryshme. Një prezantim nga delegacioni rus është planifikuar për 24 shtator.
/Argumentum.al