Christiane Amanpour, gazetare veterane e rrjetit televiziv amerikan, CNN, ka anuluar një intervistë me presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi, pasi ai i ka kërkuar që të vendosë një mbulesë në kokë përgjatë takimit në Nju Jork.
Amanpour ka thënë se asnjë prej presidentëve paraprakë të Iranit nuk i ka kërkuar që ajo të vendosë mbulesë kur ka zhvilluar intervistat jashtë territorit iranian.
Ajo ka thënë se një ndihmës i Raisit i ka thënë se duhet të bëjë diçka të tillë për shkak të “situatës në Iran”.
Vdekja e një gruaje të re sa ka qenë në mbajtje në Iran, nën dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë, ka nxitur protesta dhe zemërim brenda shtetit.
Intervista me Raisin do të ishte e para në tokën amerikane, në kuadër të vizitës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Amanpour ka thënë se ka qenë e gatshme që të kryejë intervistën kur një prej ndihmësve të presidentit ia ka kumtuar kërkesën.
“Ne jemi në Nju Jork, ku nuk ka ligj apo traditë sa u përket mbulesave në kokë”, ka thënë ajo më vonë në Twitter.
Ekipi i saj është larguar nga vendi ku do të mbahej intervista, pasi kushtin e Iranit e ka konsideruar “të pashembullt dhe të papritur”.
Më vonë ajo e ka postuar një fotografi, ku shihet pa shami dhe e vetme në dhomën ku do të duhej të mbahej intervista.