Partia Demokratike mblodhi sot Këshillin Kombëtar ku u diskutua mbi zhvillimet politike në vend, si dhe organizimin e primareve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij u ndal te situata ekonomike në vend, për të cilën tha se ajo është dëshpëruese dhe do përkeqësohet edhe më tej.
Ai foli për protesta të fuqishme e të gjithanshme.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se mbështet presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në dëm të interesave të Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike, i ka quajtur tepër problematike marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me presidentin e Turqisë, Rexhep Erdogan.
Berisha foli para anëtarëve të Kuvendit të PD-së edhe sa i takon financimeve ruse nga ish-kryetari Lulzim Basha.
“Ish-kryetari, ka pranuar sipas raporteve serioze, financime ruse. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Për PD-në, si parti e interesit kombëtar, ky është shkelmim i një prej parimeve më themelore të programit dhe qëndrimeve të saj”, tha ai.
Berisha informoi se kryesia ka vendosur të ngrejë një komision auditi për këtë aferë.
“Ai po dëshmon mungesë totale përgjegjshmërie, sepse është i detyruar së paku të thotë ku i mori paratë, kush ia dha dhe si i dërgoi në Skoci, kur kanali bankar nuk ekziston. E shpëtoi një herë Edi Rama, por kjo çështje është shumë serioze dhe unë mendoj që ai nuk duhet ta trajtojë ndryshe, por të bëjë transparencë të plotë, se ka drejtuar këtë parti, meqenëse e mohon, ndonëse ju e dini se gjënë më të lehtë ka gënjeshtrën”, u shpreh Berisha.
Berisha komentoi edhe nismën e PS-së për ndryshimet në ligjin për dosjet e ish-Sigurimit.
“Edi Rama në luftën e tij politike po përpiqet të përdorë mekanizma ligjor për të goditur kundërshtarët politikë. Ju e keni të qartë se si u rikthye ideja e dosjeve dhe me një proces gjueti shtrigash ndaj një kundërshtari politik. PD është kundër gjahut të shtrigave, por është plotësisht për lustracionin dhe dekomunistizimin. Ne do të dorëzojmë në parlament në 2 ditët e ardhshme, të gatshëm, ligjin e lustracionit. Të plotë, jo nene të veçanta, ligji i lustracionit është ligj. Kemi qenë, jemi dhe do të jemi për lustracionin, por kurrë nuk kemi qenë për gjah shtrigash për qëllime politike. Nuk jemi dhe nuk mund të jemi kurrë për kontrolle jashtë qëllimit”, tha ai.