Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, priti sot ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj.
Ministri Dukaj është njeri ndër dy ministrat shqiptarë në qeverinë në detyrë të Kryeministrit Abazoviç.
Nikolla nënvizoi se “Mali i Zi është një vend fqinj, mik dhe partner i Shqipërisë në NATO dhe bashkudhëtar në rrugëtimin drejt BE. Unë vlerësoj dhe nxis bashkëpunimim mes dy qeverive dhe organizimin prej tyre të mbledhjeve të përbashkëta. Këtë miqësi e forcon edhe komuniteti shqiptar në Malin e Zi, një komunitet progresiv dhe kontribues i evropianizimit të vendit fqinj. Shqipëria dhe Mali i Zi, si partnerë në integrimin rajonal, po nxisin e bashkërendojnë kontributet për integrimin, emancipimin dhe evropianizimin e Ballkanit Perëndimor”.
Ministri Dukaj vuri në dukje se komuniteti shqiptar në Malin e Zi do të vazhdojë të rrisë përfaqësimin politik dhe të kontribuojë për zhvillimin, integrimin dhe evropianizimin e Malit të Zi dhe të gjithë rajonit.