Kryeministri Edi Rama bëri bilancin e sezonit turistik veror, të cilin e cilësoi si më i mbari ndonjëherë, jo vetëm nga flukset e të ardhurave në ekonomi dhe të turistëve të huaja, por edhe sa i takon pastërtisë e shërbimeve publike.
Në një takim ku ishin të pranishëm, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, si dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, kreu i qeverisë bëri me dije se tashmë ka filluar puna përgatitore për sezonin e ardhshëm, me ambicien për më shumë e më mirë.
Duke ju referuar shifrave të para vitit 2013, kryeministri Edi Rama tha se nga 4% të prodhimit të brendshëm bruto që ishte në atë kohë, sot është 17% e prodhimit të brendshëm bruto. Kreu i qeverisë në fjalën e tij nënvizoi se synohet se që të hiqet fjala sezon turistik, pasi Shqipëria duhet të jetë turistike 365 ditë të vitit.
Nga ana tjetër ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se 30% e plazheve në vitin 2023 do të jenë publike. Kumbaro ka bërë me dije se stacionet e plazheve dhe ato për mjete lundruese do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës. Në bilancin e sezonit turistik veror, Kumbaro u shpreh se aplikimet do të hapen nga data 1-30 dhjetor.
“Stacionet e plazheve, dhe stacionet për mjetet lundruese do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës. Nga data 1-30 dhjetor do të jenë të hapura aplikimet për certifikimin e aktivitetin për ofrimin e mjeteve lundruese, po ashtu është koha për të aplikuar edhe për stacionet. Në vitin 2023, 30% e plazheve do të jenë publike”, tha Kumbaro.
“Ky sezon ka sjellë vizitorë të shumtë në qytete. Duke filluar nga Tirana, ku patëm një bum turistësh. Hotelet ishin plot, por kemi edhe numër të madh apartamentesh të marra me qira, përmes agjencive dhe në rrugë digjitale”, tha ai.
Kryeministri u ndal dhe në kontributin e sektorit të turizmit në PBB.
“Kur ne e kemi nisur punën për të transformuar Shqipërinë në një vend turistik, turizmi kontribuonte me vetëm 4 % në PBB. Sot ai kontribuon 17 %. Shumë kush e ka harruar se kemi pasur një turizëm krejtësisht primitiv dhe jashtë çdo lloj standardi të konkurrencës në këtë mjedis gjeografik që Shqipëria ka fatin, por edhe peshën e madhe të vështirësisë mes lojtarësh botërore si Italia e Greqia, ashtu si dhe mes lojtarësh rajonal si Mali I Zi apo Kroacia”, deklaroi Kryeministri.
Rama theksoi faktin se Shqipëria deri para 30 vitesh ishte një vend pa turizëm, me detin krejtësisht të ndaluar.
“Sot pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e PBB-së është 17 % për të gjithë ata që për 1 mijë e një arsye refuzojnë të njohin progresin dhe kanë kujtesën e shkurtër, kemi qenë një vend që bënim lajm për pisllikun”, deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek argëtimi për fëmijët gjatë sezonit turistik, ku tha se nuk do të jepen më leje për fshatrat turistike, që nuk ofrojnë hapësira argëtimi për fëmijë dhe ky kriter do të shtohet dhe për hotelet.
Sa i takon zhvillimit të turizmit, kreu i qeverisë u ndal edhe tek portet turistike në vend, ku tha se do të sjellin kategori turistësh që lënë varkat dhe konsumojnë në hotele e restorante. Sipas tij, kjo sjell rritje pagash dhe zhvillim ekonomik për vendin.
Kryeministri Edi Rama informoi sot se brenda pak javësh do të nisë puna për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut, në Durrës.
Rama tha se investimet në porte, aeroporte dhe struktura hoteliere do ta bëjnë Shqipërinë brenda këtij 10 vjeçari kampione të Ballkanit në turizëm.
“Pak muaj na ndajnë nga fillimi i punës për portin më të madh turistik të Mesdheut, këtu në Durrës. Dihet se çfarë sjellin portet turistike. Sjellin atë kategori turistësh që pasi lënë varkat e tyre në port, dalin dhe konsumojnë shumë në hotele, restorante dhe dyqane. Dhe i gjithë ky konsum shkon në shtëpitë e atyre që ofrojnë këto shërbime, që janë shtëpi shqiptarësh, dhe shkojnë për rritje pagash”, tha Rama.
Kryeministri informoi edhe rreth punimeve në portin e Vlorës.
“Ka filluar ndërkohë puna për ndërtimin e portit turistik të Vlorës, një tjetër xhevahir në të gjithë bregdetin shqiptar, tjetër potencial të ardhurash në ekonominë kombëtare, jo vetëm të Vlorës”, tha ai.
Ndërkohë, Rama u shpreh se puna ka nisur edhe në portin e Sarandës, ndërsa për portin turistik të Shëngjinit informoi se do të nisë ndërtimi brenda parashikimeve.
Sa i përket ndërtimeve ai tha se prokurorët e mbyllin me para çështjen kur flitet për ndërtuesit e mëdhenj dhe i nxjerrin bojën shtetit duke u marrë me kotec. Për këtë të fundit i referohet rastit të Vlorës kur e moshuara përfundoi në gjyq për kotecin e pulave.
“Jemi ndjerë shumë herë të turpëruar për fajin e llumit në drejtësi. Llumi në drejtësi bashkë me atë në policinë e shtetit dhe atë nëpër inspektoriate e ka shumë të lehtë të çojë me ndihmën e prokurorëve të zellshëm që kur vjen puna tek ndërtuesit e mëdhenj, e mbyllin me para çështjen. Njerëz që kanë ndërtuar pa leje një mur, një gjysmë shtese në fshat dhe raste flagrante janë bërë dhe publike.
Një kotec, një avulli, dritaret e Bojken Lakos, që me të marrë me të nxjerr dhe bojën botërisht jo vetëm si individ por edhe gjithë shtetin si dhe e kanë të pamundur të veprojnë ndaj kateve pa leje në mes të Tiranës”, tha Rama.
/Argumentum.al