Shqipëria ka dënuar aneksimin nga Rusia për 4 rajonet e Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një reagimi në rrjetet sociale theksoi se “aneksimi i katër rajoneve të Ukrainës është i paligjshëm”.
“Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë, ashtu si ai i SHBA, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe shteteve të tjera demokratike. Kundërshtojmë pa mëdyshje këtë veprim të njëanshëm të Rusisë, që shkel hapur të drejtat themelore të Ukrainës për pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial”, theksoi Peleshi.
Moska ka mbajtur referendume që janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar në katër rajone ukrainase të pushtuara nga Rusia: në Kherson, Donetsk, Luhansk dhe Zaporizhia, për të justifikuar aneksimin e tyre në Federatën Ruse.
Po ashtu Presidenti Bajram Begaj reagoi pasditen e sotme lidhur me aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia.
“Dënoj me forcë shkeljen e përsëritur të integritetit territorial të Ukrainës nga ana e Rusisë. Sfida e hapur dhe flagrante e Rusisë ndaj ligjeve dhe komunitetit ndërkombëtar është lajm i keq për paqen dhe rendin botëror”, u shpreh Begaj.
Ndersa Ministria e Jashtme thekson se nuk do të njohë rezultatet e përcaktuara nga Rusia në këto rajone. Institucioni kyç për marrëdhëniet ndërkombëtare thekson se çdo aneksin i territorit të një shteti në një shtet tjetër sovran, është shkelje e parimeve e Kartës së OKB. Sidoqoftë, Putin ka shpallur zyrtarisht aneksimin e 4 rajoneve ndërsa theksoi se nuk ka për ti dorëzuar kurrë. Putin gjithashtu në deklaratat e tij u shpreh se Perëndimi është përgjegjës për sabotimin e Nord Stream si dhe dënoi ashpër zgjerimin e NATO-s në lindje.
Edhe në përfaqësinë tonë si anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB Xhaçka theksoi se Shqipëria mirëpret vendimin e Presidencës franceze dhe tha se veprimet e Rusisë janë në shkelje flagrante me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Shefja e diplomacisë theksoi ndër të tjera se e drejta ndërkombëtare është e njëjtë dhe e detyrueshme për të gjithë dhe se Rusia ka zgjedhur të injorojë atë. Ashtu sikundër perëndimi u përgjigj ndaj këtij agresioni, edhe Xhaçka e cilësoi ndërhyrjen e Moskës në Kiev, shkelje flagrante e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe një shkelje e rëndë e Kartës së OKB-së.
Edhe kreu i Partisë së Lirisë (FP), Ilir Meta ka dënuar vendimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe nënshkrimin e marrëveshjes për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës.
Meta përmes një statusi në Twitter të premten shkruan se Partia e Lirisë dënon ashpër referendumet e rreme të organizuara nga Rusia, duke shtuar se aneksimi i rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia është i papranueshëm.
“Partia e Lirisë dënon ashpër referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë me rezultate të paracaktuara. Rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia janë territore të Ukrainës dhe çdo aneksim i tyre nga Rusia është i papranueshëm, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, si dhe çdo parim të sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha Meta.
Moska ka mbajtur referendume që janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar në katër rajone ukrainase të pushtuara nga Rusia, në Kherson, Donetsk, Luhansk dhe Zaporizhia për të justifikuar aneksimin e tyre në Federatën Ruse.
/Argumentum.al