Vendet perëndimore dhe Kombet e Bashkuara kanë denuar njezeri lëvizjen e presidentit rus Vladimir Putin për të shpallur aneksimin e katër provincave pjesërisht të okupuara ukrainase.
SHBA
Presidenti amerikan Joe Biden dënoi ashpër deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin se katër rajone të Ukrainës do të bëhen territor rus bazuar në referendumet që u mbajtën këtë javë.
Biden i përshkroi pretendimet e Rusisë për aneksimin si “të rreme” dhe që nuk kanë “legjitimitet”. Ai njoftoi gjithashtu sanksione të reja që SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vendosin ndaj Rusisë, duke përfshirë kostot për individët dhe subjektet brenda dhe jashtë Rusisë që ofrojnë mbështetje politike ose ekonomike për përpjekjen e aneksimit.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë përpjekjen mashtruese” të Rusisë për të aneksuar pjesë të territorit sovran të Ukrainës”, kështu deklaroi presidenti i SHBA-ve Joe Biden duke denoncuar shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe të OKB-së nga Moska.
“Këto veprime nuk kanë legjitimitet,” tha presidenti, duke premtuar se SHBA do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për të rifituar kontrollin e territorit të saj, duke e forcuar atë si ushtarakisht ashtu edhe diplomatikisht, duke përfshirë 1.1 miliardë dollarë ndihmë të re, të ndarë këtë javë.
Lidhur me sanksionet, Departamenti Amerikan i Thesarit thotë se ka në shënjestër “kompleksin ushtarako-industrial” pas luftës në Ukrainë, duke përfshirë dy furnizues ndërkombëtarë, tre drejtues të infrastrukturës financiare të Rusisë, anëtarë të afërt të familjes së disa zyrtarëve të lartë rusë dhe 278 anëtarë të legjislaturës ruse për të mundësuar lëvizin.
“Ne nuk do të qëndrojmë pranë ndërsa Putini përpiqet me mashtrim të aneksojë pjesë të Ukrainës”, tha Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.
“Departamenti i Thesarit dhe qeveria amerikane po ndërmarrin veprime gjithëpërfshirëse sot për të dobësuar më tej kompleksin industrial ushtarak tashmë të degraduar të Rusisë dhe për të minuar aftësinë e saj për të zhvilluar luftën e saj të paligjshme”.
Yellen shton se SHBA dhe aleatët e saj nuk do të hezitojnë të ndërmarrin “veprime të rënda” kundër njerëzve dhe kompanive brenda dhe jashtë Rusisë, “të cilët janë bashkëfajtorë në këtë luftë dhe në këto referendume të rreme”.
BE
Këshilli Evropian, i përbërë nga liderët e vendeve të BE-së, lëshoi një deklaratë menjëherë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nënshkroi marrëveshjet për bashkëngjitjen e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia në Ukrainë me Rusinë.
Udhëheqësit e vendeve të BE-së theksuan se ata kundërshtojnë dhe dënojnë fuqishëm aneksimin e paligjshëm të rajoneve të Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporozhzhia nga Rusia.
Në deklaratën e Këshillit thuhet se Rusia rrezikoi sigurinë globale duke dëmtuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe duke shkelur Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar.
“Ne nuk i njohim dhe nuk do t’i njohim kurrë rezultatet e rreme dhe të paligjshme të referendumeve të paligjshme, të cilat Rusia i bëri si pretekst për shkelje të mëtejshme të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ne kurrë nuk do ta njohim këtë aneksim të paligjshëm. Këto vendime janë të pavlefshme. Krimea, Khersoni, Zaporizhzhia, Donetsku dhe Luhansku i përkasin Ukrainës. Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve dhe organizatave ndërkombëtare që ta refuzojnë kategorikisht këtë aneksim të paligjshëm”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë ku përsëritet mbështetja për integritetin territorial të Ukrainës, thuhet se Ukraina përdor të drejtat e saj legjitime kundër agresionit të Rusisë për të mbrojtur veten dhe për të rimarrë tokat e saj dhe se do të vazhdojnë të gjitha llojet e mbështetjes për Ukrainën.
“Ne do të forcojmë masat tona kufizuese kundër veprimeve të paligjshme të Rusisë. Këto do të rrisin presionin që Rusia të ndalojë luftën e saj”, thuhet në deklaratë.
NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përjashtoi mundësinë e njohjes së aneksimit rus të katër rajoneve ukrainase, raporton Anadolu Agency (AA).
“Aleatët e NATO-s nuk njohin dhe nuk do të njohin asnjë nga këto territore si pjesë e Rusisë”, sepse “ky rrëmbim i tokës është i paligjshëm”, tha Stoltenberg në një konferencë për media.
Ai tha se “referendumet e rreme” të organizuara në rajonet ukrainase Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson “u krijuan në Moskë dhe iu imponuan Ukrainës në shkelje totale të ligjit ndërkombëtar”.
Stoltenberg gjithashtu u shpreh se NATO u bën thirrje të gjitha shteteve që të refuzojnë “përpjekjet flagrante të Rusisë për pushtim territorial”.
Ai vuri në dukje se lufta në Ukrainë ka arritur një “moment kyç” pasi mobilizimi i pjesshëm ushtarak, aneksimi i paligjshëm dhe kërcënimet bërthamore tregojnë se lufta e presidentit rus Vladimir Putin “nuk po shkon sipas planit”.
Putin “ka dështuar plotësisht në objektivat e tij strategjikë”, tha më tej ai.
Stoltenberg përsëriti gjithashtu se NATO duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën sepse bota do të bëhet edhe më e rrezikshme nëse Ukraina nuk ekziston si një shtet i pavarur.
Ndryshe, tha ai, Putini ose fuqitë e tjera autoritare “do të shohin që pa u ndëshkuar dikush mund të përdorë forcën ushtarake dhe të pushtojë fqinjin e tij”.
Duke iu referuar njoftimit të fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për aplikimin për anëtarësim në NATO me procedurë të përshpejtuar, Stoltenberg tha se Ukraina, si çdo komb sovran, ka të drejtë të “zgjedhë rrugën e tij” dhe të vendosë se cilës aleancë i përmbahet.
Në të njëjtën kohë, nënvizoi ai, u takon aleatëve të NATO-s që të vendosin unanimisht për anëtarësimin e Ukrainës.
I pyetur për sabotimin e dyshuar të tubacioneve “Rrjedha Veriore” (Nord Stream), Stoltenberg konfirmoi se anijet dhe avionët e NATO-s janë të pranishme në Detin Baltik dhe Detin e Veriut për të demonstruar gatishmërinë e aleancës.
Përveç kësaj, “anijet po mbledhin gjithashtu të dhëna që mund të jenë të dobishme si për hetimin në vazhdim, si dhe për të monitoruar këto infrastruktura kritike të energjisë”, tha ai.
Stoltenberg u shpreh se aleatët e NATO-s gjithashtu rritin “shkëmbimin e inteligjencës dhe shkëmbimin e informacionit” për të ndihmuar hetimin dhe për të parandaluar incidente të mëtejshme.
G7
Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë (G7) thanë se ata “nuk do ta njihnin kurrë” lëvizjen e aneksimit të Rusisë, “as “referendumet” e rrejshme të kryera me armë”.
Përpjekjet për aneksimin e Putinit “përbëjnë një pikë të re të ulët në shkeljen e hapur të ligjit ndërkombëtar nga Rusia”, thanë ministrat në një deklaratë.
G7 është një grupim jozyrtar i shtatë prej ekonomive të përparuara të botës që përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Franca
Presidenti francez Emmanuel Macron dënoi aneksimin e Rusisë duke thënë se masa përfaqësonte “një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të Ukrainës”.
“Franca është kundër kësaj dhe qëndron në krah të Ukrainës, ndërsa ajo përballet me agresionin e Rusisë dhe rimëkëmb sovranitetin e plotë në të gjithë territorin e saj”, tha Élysée.
Greqia
“Vendimi është i paligjshëm pasi shkel hapur ligjin ndërkombëtar dhe është i pavlefshëm”, tha ministria e jashtme greke në një deklaratë.
Italia
Putin “demostron edhe një herë vizionin e tij neo-imperialist të stilit sovjetik që kërcënon sigurinë e të gjithë kontinentit evropian”, tha lideri italian i ekstremit të djathtë Giorgia Meloni, partia e së cilës doli e para në zgjedhjet e vendit javën e kaluar.
Presidenti i Rusisë, Putin sot nënshkroi marrëveshjet për bashkëngjitjen e rajoneve ukrainase Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia me Rusinë.
/Argumentum.al