Realpolitik “ Flash” No. 54
16 – 30 SHTATOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik, Mjeshtër i Madh
Dr. Jorgji KOTE
1.Britania Elisabetiane! Kjo është Mbretëria e Bashkuar pas ceremonisë madhështore të lamtumirës për Mbretëreshën Elisabeta II. Me pjesëmarrjen masive, të ndjekur nga 5 miliard vetë, pritjet me orë të tëra për nderimet e fundit, rregulli dhe protokolli i paparë, prania e 500 liderëve botërorë ishin homazhi më prestigjioz që ka njohur bota. Si mirënjohje për jetën e sajtë gjatë në shërbim të popullit, siç ishte betuar qysh në rini. Me një rekord mbretërimi mes sfidash të panumurta, brenda familjes, në Britani dhe në gjithë botën, etj. Mbas epokës së famshme Viktoriane ( 1837 – 1901) Madhëria e saj, Elisabeta II, me 70 vitet e mbretërimit, i vuri vulën kësaj epoke në Angli dhe Comonwealthin britanik, me një imazh dhe autoritet rrezatues planetar.
2. Fjalë, fjalë pati Sesioni i 77 i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që vazhdon në Nju Jork. Mbizotëroi agresioni rus ndaj Ukrainës me pasojat e njohura, mbështetja për Ukrainën, dënimi i Rusisë me sanksione dhe për t’i hequr të drejtën e vetos, propozime për procedimin e Putinit për genocid dhe krime ndaj njerëzimit, sfidat globale, klima dhe kriza energjitike, ushqimore, etj. Mirëpo, nisur nga natyra e OKB-së, të gjitha mesazhet, sado të drejta dhe të dobishme nuk e kapërcyen dot pragun e fjalëve që janë bërë refren i rëndomtë. Edhe rezolutat e saj nuk janë të detyrueshme dhe nuk kanë vlerë pa kaluar në filtrin e Këshillit të Sigurimit. Ndonëse ka 20 vjet që të gjithë “ulërasin” për reformimin e saj, për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit me vende të tjera me peshë, këto kanë mbetur vetëm dëshirë e mirë. Ndaj, sado fjalime bombastike të mbahen në « Pallatin e Qelqtë », ato harrohen sapo liderët kalojnë Atlantikun dhe ndeshen me realitetet e zymta në terren.
3. Pa lidhje dhe pa kuptim ishin disa tema në fjalimin e Kryeministrit Rama më 25 Shtator në Nju Jork. Veç solidaritetit me Ukrainën dhe dënimit të agresionit rus, çështjet e tjera ishin irelevante për atë tribunë të lartë, ndaj duhej të ishin shmangur. E para, përmendja e Raportit të Dick Martyt dhe Rezolutës përkatëse të Këshillit të Europës ( KiE). Sepse pala jonë ka dorëzuar në Strasburg draft-Rezolutën vijuese për çvleftësimin e akuzave të pavërtetuara mbi trafikimin e qenieve njerëzore nga ish liderët e UÇK-së. Por të tjerat janë në proces gjykimi. Atëhere përse duhej ngritur ky problem në OKB? Apo për të denoncuar Gjykatën Speciale në Hagë!! Kur dihet se lidershipi i Kosovës dhe ai në Tiranë e kanë përkrahur këtë strukturë të mbështetur nga BE dhe SHBA! Eshte naivitet të mendosh se me një fjalim dhe lëvizje të tjera në Nju Jork, Bruksel dhe gjetkë mund të ndalosh apo të kërkosh mbylljen e saj! Por, dhe sikur kjo të ndodhë, sërish gjykimet në proces do të përfundojnë me fajësi ose pafajësi dhe ne urojme këtë të dytën. Deri atëhere nuk ka përse të flasim nëpër botë dhe paragjykojmë drejtësinë e pavarur ndërkombëtare. Në fund të fundit, nga ana formale, dhe Dick Marty ka ngritur akuza dhe pretendime, të cilat më 2010 KiE-ja vendosi t’ia referonte drejtësisë ndërkombëtare me 169 vota pro dhe vetëm 22 kundër/abstenime. Ndaj, është më e udhës të punohet me vendet antare në Strasburg që të miratohet Rezoluta jonë, ndryshe ka rrezik që “në vend të vemë vetullat, të nxjerrim sytë”
Pa lidhje ishte përmendja e “ Ballkan i Hapur” kur në OKB shumë pak e njohin dhe nuk ka interes për një trilateral dhe ai gjysmak! Më e keqja, duke mos përmendur Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal t’i shpreh një karshillëk të dëmshëm ndaj Berlinit, Brukselit, metropoleve të tjera të BE-së dhe SHBA-ve. Dhe kjo vetëm një muaj para Takimit në Berlin më 3 Nëntor për jetësimin e Procesit të Berlinit me ftesë të Kancelarit Scholz. Mos përmendja e BE-së në atë fjalim e “trash dhe më shumë zullumin » euroskeptik. Irelevante ishte dhe përmendja e mundësisë së pranisë së Greqisë dhe Turqisë te Ballkan i Hapur, një non-sens i vërtetë nga çdo anë. Imagjinoni si mund të pranojnë këto dy vende, sidomos Turqia të vihet nën hyqmin e Tiranës dhe Beogradit!
Pa kuptim ishin avokatia dhe thirjet për të mos bërë presion ndaj Serbisë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, sepse demek është e varur prej tyre. Por, ç’tu themi vendeve të tjera që po bëjnë çmos për t’i dhënë fund asaj vartësie por prapë kanë vendosur sanksione ? Po Marrëveshja e Beogradit për konsultime diplomatike me Lavrov aty në Nju Jork kur liderët e tjerë nuk i dhanë as dorën?
Nga ana tjetër, thirjet e Ramës për dialog për Serbinë dhe Kosovën, pa asnjë dallim e duke i vënë në një plan të barabartë për fajet dhe përgjegjësinë e tyre është po aq pa kuptim dhe gafë diplomatike. Siç është dhe raporti që ka krijuar Rama midis Beogradit dhe Prishtinës, dukshëm në favor të të parit!
4. Gjeopolitika fillon nga brenda! Në forume rajonale dhe ndërkombëtare vazhdon “avazi i Mukes” me kërkesën ndaj BE-së që të përshpejtojë zgjerimin drejt Ballkanit Perendimor, për të shmangur ndërhyrjet dhe rrezikun rus, kinez, etj. Mirëpo, me këtë kërkesë po abuzohet shumë. Deri tani shohim vetëm gjeopolitikë por pothuasje asgjë për reformat e brendshme. Ca më tepër kur gjeopolitika e ka bërë të vetën; kështu, negociatat Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë çelur, po akordohen shumë të mëdha financiare për reformat, në Tetor në Samitin e Pragës do të shpallet krijimi i Komunitetit Politik Europian, ku do të jenë të 6 vendet e rajonit tonë, etj. Ndaj tani mbetet që vendet tona të vazhdojnë me më shumë intensitet reformat, të kurojnë plagët e shumta, mbi të gjitha azilin e paligjshëm që po merr përmasa të frikshme, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj. Mirëpo, këto dhe të tjera probleme nuk i zgjidh dot gjeopolitika dhe BE-ja nga jashtë.
Ndaj, kujdes, nëse nuk punojmë nga brenda, me gjeopolitikë “mund të nxjerrim rrezikun rus jashtë nga dera, por shumë shpejt ai do të na hyjë nga dritarja”. Gjeopolitika mund të nxisë dhe të përshpejtojë, por vendimtare për suksesin e antarësimit në BE janë aktorët, faktorët dhe reformat e brendshme; ku te ne tani po bëhen hapa mprapa, si me tre projekt-ligjet e fundit në kundërshtim të hapur me BE-në. Ca më keq akoma, vërtet kemi qeveri dhe qeveritarë, por ata çuditërisht po çqeverisin me arrogancë!
© 2022 Argumentum