E themeluar nga OKB-ja, kremtohet sot “Dita e fluturimit të njeriut në hapësirë”, që përkujton fluturimin në orbitë të rusit Yuri Gagarin. Ishte 12 prilli i vitit 1961. Realizohej një ëndërr, ëndërruar që në thellësitë mitike të njerëzimit…
Historia
Më 12 prill 1961, në orën 9:07, nga baza Baykonur në Kazakistan nisej në hapësirë Vostok 1, anija e parë me ekuipazh njerëzor.
Brenda kapsulës ishte rusi Juri Gagarini.
Çdo gjë nisi me 108 minutat e Gagarinit në kozmos.
Ai ishte i pari. “Kristofor Kolombi” i qiejve.
Mësoni jetën e legjendarit Juri Gagarin.
Kush ishte
Një punëtor fabrike në një fshat rural, Gagarin ka shprehur se dëshira e tij për tu bërë pilot kishte ardhur si rezultat i pafuqisë që ai ndiente gjatë pushtimit nazist të vendit të tij (vëllai dhe motra e tij u kapën dhe u shfrytëzuan si skllevër pune).
I përzgjedhur si një nga 20 kozmonautët e parë, Gagarin respektohej nga kolegët e tij për miqësinë dhe sinqeritetin.
Ai u zgjodh të pilotonte Vostok 1, dhe më 12 Prill të 1961, Gagarin – rreth 26 vjeç – u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë, duke realizuar një udhëtim prej 180 minutash në orbitën e Tokës. Ai vdiq në moshën 34-vjeçare në një trajnim fluturimi.
Nisja në hapësirë
Ishte nisur në orën 9.07 të mëngjesit mbi anijen Vostok, nga bazë Baykonur, në atë kohë sekrete. Në kryeqytetin sovjetik ai 12 prill i vitit 1961 ishte madhështor dhe plot mister. Radio Moska 25 minuta pas nisjes, lëshoi një deklaratë të përgatitur nga KGB-ja, kishte edhe dy deklarata të tjera të gatshme nëse misioni do të ishte një dështim katastrofik. Por misioni doli me sukses dhe me 12 prill bota feston pushtimin e hapësirës.
Pas kësaj ngjarje epokale e gjithë bota ra në dashuri me Jury Gagarin disa minuta pasi ai u kthye në tokë. Njeriu me buzëqeshjen legjendare, njeriu i parë në hapësirë do festonte ditëlindjen me 27 mars, pra muajin që kaloi. Thuhet se Gagarin ishte një njeri me fat.
Ai ishte vetëm 27 vjeç dhe ishte zgjedhur së bashku me 19 pilotë të tjerë mes 3.461 kandidatëve.
Jeta e Gagarin
I lindur në vitin 1934 në një pjesë të largët të Rusisë pranë qytetit të Gzhatsk dhe i mbijetoi pushtimit nazist, edhe pse kjo e pengoi të shkonte në shkollë të mesme. Shokët e tij të fluturimit mbajnë mend se ai e kishte të vështirë të ulte avionin në fillimet e tij. Ai realizoi fluturimin e parë kozmik në moshën 27 vjeçare, ndërsa u nda nga jeta kur sapo i pat mbushur të 34 vjetët.
Për Gagarinin dhe jetën e tij të shkurtër, siç mund të dukej, dihet gjithçka. Lindi ai në një familje fshatare, shërbimin ushtarak e kreu në viset përtej rrethit Polar, ku duke qenë pilot përvetësonte teknikën e re fluturuese. Shumë shpejt pas lëshimit të satelitit të parë artificial të Tokës ai u zgjodh në grupin e kozmonautëve dhe filloi të përgatitej intensivisht për realizimin e fluturimit me zell të veçantë. Dihet tashmë gjithçka për atë fluturim të paharruar 108 minutësh që ai kaloi në orbitë. Dihet pothuajse gjithçka për vdekjen e tij tragjike gjatë fluturimit si pilot kolaudator me aeroplan.
Fjalët që tha para nisjes…
Megjithatë çdo herë perceptohen me sy të ri hollësitë e atyre ngjarjeve dhe fjalët që ai tha përpara startit të anijes: “Pas disa minutash anija e fuqishme kozmike do të më çojë në hapësirat e largëta, honet e thella të Gjithësisë. Çfarë mund të them në këto minutat e fundit përpara nisjes? E gjithë jeta ime më duket mua tani si një çast i mrekullueshëm. Gjithçka që përjetova, çdo gjë që kam bërë përpara kësaj, e kam bërë për hir të kësaj minute. Unë provova ndjenjën e lumturisë së papërshkruar që të jem i pari njeri në hapësirën kozmike, të ndeshem një me një me natyrën. A mund të ëndërrojë vallë për ndonjë gjë më të madhe njeriu?”.
Bota e mban mend mirë kozmonautin e vet të parë dhe buzëqeshjen e tij të ëmbël që të bënte për vete. Ai ishte i ri, optimist, zemërgjerë, por njëkohësisht synues dhe profesionist i vërtetë.
Gagarin, njeriu që i dha jetë profesionit të “kozmonautit”
Ndërsa i pari u prin të tjerëve. Të gjithëve ne na joshi në hapësirën kozmike pikërisht ai. Dhe unë mendoj, se njeriu, i cili dikur do të shkelë në sipërfaqen e Marsit, do të shprehet për Gagarinin kështu: ”Ai na bëri thirrje të gjithëve ne për në Mars”. ”Dhe unë supozoj se fluturimi i pilotuar drejt Marsit do të bëhet dhuratë e veçantë, ndoshta, për 85 vjetorin e ditëlindjes së Gagarinit”, konfirmoi me bindje kozmonauti rus Valeri Polakov.