EDITORIAL I ARGUMENTUM
Muarëm shkas për këtë editorial nga përgjigjet ndaj 2 pyetjeve të djeshme të Shefes së re të Delegacionit të BE-së në Tiranë, zonjës Christiane Hohmann. Pyetja e parë kishte të bënte me një njoftim publik se më 26 Shtator në Bruksel ishte zhvilluar raundi i parë i negociatave me BE-në për dy kapitujt e parë, 23 dhe 24, mbi drejtësinë, gjyqësorin dhe korrupsionin. Zonja Hohmann e përgënjeshtroi me finesë diplomatike këtë fakt.
Madje, ajo pohoi se për shkak të problematikave të shumta, skanimi i legjislacionit tonë dhe ballafaqimi i tij me atë të BE-së, do të zgjasë; për pasojë, negociatat mbi këto dy kapituj nuk pritet të fillojnë përpara vitit 2024. Pra, jemi ende në fazën përgatitore, me shumë veprimtari të kësaj natyre; sepse, ndryshe nga disa muaj më parë, tani nuk bëhet më fjalë për deklarime dhe lobime politike dhe diplomatike me vendet antare, por për aspekte konkrete teknike ligjore që do të diskutohen në tryezë me ekspertët e Komisionit Europian në Bruksel, të cilët do të na ” kalojnë vërtet në vrimë të gjilpërës”. Kjo është e vërteta mbi gjoja fillimin e negociatave për ato dy kapituj dhe nuk kishte pse të abuzohej në këtë pikë.
Në fakt, duke iu referuar dokumentit zyrtar, Takimi në Bruksel më 26 Shtator ishte vetëm me natyrë shpjeguese mbi legjislacionin e BE-së, bazat dhe referencat e tij institucionale, të bashkërenduara me atë të OKB-së, OSBE-së, KiE-së, etj. I shoqëruar me një pasqyrë të legjislacionit tonë dhe problemeve që dalin në parim, edhe pse ” BE-ja nuk ia ka hapur ende petët lakrorit ” tonë.
Ndaj, do ishte mirë që organet tona zyrtare të bënin informimin e duhur publik, duke shmangur spekulimet dhe sensacionet për tema të tilla madhore që mund të çojnë në bumerang politik. Ca më tepër që procesi i negociatave do të na shoqërojë për vite, në mos dekada me radhë. Me këtë rast, t’u themi ” Ndal” spekulimeve se demek brenda 10 viteve do të jemi në BE, sepse kjo nuk ka asnjë bazë dhe referencë. Më mirë me këmbë në tokë.
Po ashtu, në përgjigje të pyetjes tjetër së gazetarëve, Shefja e Delegacionit të BE-së pohoi se nuk ishte në dijeni të ndonjë procesi ose procedure në BE lidhur me shpalljen ” non – grata” – të ish Presidentit Berisha, siç ka paralajmëruar dhe publikisht, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ajo sqaroi se ky aspekt u përket vendeve antare, për të cilat ajo nuk mund të flasë. Asnjë politikan nuk duhet të abuzojë me informacionet e brendshme që merr falë pozicionit politik dhe duke i nxjerrë ato në shesh, sepse në ” vend të vesh vetullat mund të nxjerrësh sytë”!
Rasti tjetër më i freskët i takon disa ditëve më parë, pas intervistës së Ambasadores Juri Kim te ” Opinion” kur Baton Haxhiu, ish këshilltar i Kryeministrit Rama bëri bujë me deklarimet e tij se Ambasadorja Juri Kim do të largohet në muajin dhjetor dhe se në Janar do të vijë zëvendësuesi i saj! Tepër e çuditshme për një gazetar me përvojë të bëjë një pohim të tillë tërësisht jashtë profilit dhe kompetencës së tij. Me të drejtë akademiku Artan Fuga, padyshim eksperti më i mirë dhe në fushën e medias përdori ironi therëse ndaj këtij pohimi. Dihet se ambasadorët kanë një mandat të caktuar kohor. Askujt tjetër nuk i takon të bëjë një njoftim të tillë, por vetëm Departamentit Amerikan të Shtetit. Pastaj, dhe zëvendësimi i saj nuk është aq i thjeshtë dhe nuk bëhet brenda një ose dy muajve. Caktimi dhe miratimi përfundimtar i një Ambasadori, sipas bashkëpuntorëve tanë diplomatë kërkon muaj të tërë. Madje, disa vite më parë një ambasador i emëruar për në Tiranë, qëndroi një vit më shumë, për shkak të refuzimit nga senati amerikan të kanditaturës zëvndësuese.
Për fat të keq, sensacione dhe spekulime të tilla mbi diplomacinë dhe gjeopolitikën ku kërkohet shumë kujdes janë bërë të zakonshme dhe çështë më e keqja lejohen dhe nuk merren masa për t’i parandaluar. Ndonëse tashmë kemi një Agjenci të madhe qeveritare të Medias, cila duhet të bëjë pikërisht sqarimin e duhur mediatik.
Në këtë drejtim, është e patolerueshme që 2-3 analistë, gazetarë dhe ekspertë ” të rënë prej vafti” dalin si ” gjeli majë plehut” me lloj lloj parashikimesh dhe aludimesh profetike, pa asnjë burim referimi, që në ndonjë rast krijojnë dhe panik të rremë! Janë shumë më tepër se ”fake news” dhe në vend të shmangen, madje të ndëshkohen, duket se ato nxiten dhe inkurajohen, në favor të numrit të klikimeve, dhe në dëm të imazhit, politikës sonë të jashtme dhe marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë.
Kështu, janë bërë bajate dhe fare të rëndomta parashikimet e tyre mbi arrestimin brenda x muaji të këtij dhe atij politikani të lartë; se x zyrtar i lartë amerikan në dhjetor vjen me një zarf të madh në dorë” se ”shtatori do të jetë muaji i arrestimeve të mëdha” dhe plot broçkulla të tjera si këto që koha i hedh poshtë. Asgjë nuk ndodh, madje e kundërta.
Të kuptohemi, nuk jemi kundër analizave dhe parashikimeve serioze politike, për ngjarje dhe dukuri të ndryshme, që dhe ato mbeten për t’u verifikuar. Por jemi kategorikisht kundër pohimeve dhe paralajmërimeve spekulative dhe pa asnjë bazë, nga persona të paautorizuar dhe pa njohuri të certifikuara në këto fusha.
Ndaj kujdes me spekulimet dhe sensacionet abuzive në këtë fushë, sepse, siç paralajmëronte Kenedi emblematik, ” nëse politika e brendshme të dështon, jashtmja të vret”!
/Argumentum.al