Kryeministri holandez Mark Rutte dhe ai shqiptar Edi Rama kanë gati propozimin se si e shohin komunitetin e ri politik europian sipas modelit të iniciuar nga presidenti francez Macron.
Kjo nismë do të shpallet më 6 tetor.
Kryeministri Rama zbuloi të hënën se për sa i përket Shqipërisë do të propozohet ndër të tjera që studentët shqiptarë të kenë akses të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në rrjetin universitar europian, pa pasur nevojë të shkojnë jashtë për të studiuar.
Në fjalën e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Trendeve në Nanoteknologji, Kryeministri Rama tha se “dua ta mbyll me një koment mbi një nismë, e cila deri pak vite më parë do ishte totalisht e paimagjinueshme, të Holandës dhe Shqipërisë, për të angazhuar bashkësinë europiane në një drejtim ku ne synojmë një konkretizim sa më real të vizionit dhe projektit të ri të komunitetit të ri politik evropian. Brenda pak ditësh në datën 6 të gjithë liderët e kësaj gjeografie që përfshin vendet e BE, të Ballkanit, vende që janë shumë të zhvilluara por që nuk janë në BE, si Zvicra dhe Norvegjia, do mblidhen në Pragë për të diskutuar jetësimin e idesë së një komuniteti të ri politik europian”.
“Së bashku me kryeministrin Rutte kemi shkruar një editorial që do të publikohet nesër në “Politiko” mbi disa nga drejtimet që ne besojmë se janë shumë të rëndësishme për këtë komunitet të ri politik europian dhe ku nga ana jonë si Shqipëri kemi vënë theksin ndër të tjera tek të rinjtë dhe universiteti, bota universitare europiane, tek domosdoshmëria që të rinjtë tanë dhe universitetet tona që janë jashtë rrjetit të universiteteve evropiane të BE-së të kenë mundësinë e një aksesi të barabartë që do t’i jepte një hov të konsiderueshëm procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve tona, duke mundësuar krijimin e sinergjive me universitet europiane dhe duke iu dhënë mundësi nxënësve tanë që mbarojnë gjimnazin që të mos kenë nevojë që të shkojnë për të studiuar në Francë, Gjermani, Spanjë e me radhë, por ta gjejnë në Shqipëri mundësinë që duke hyrë në universitetet vendase të kenë programin dhe në fund diplomën të barazvlefshme me të Spanjës, Gjermanisë, Francës”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ky proces do të kërkojë kohën e vet, por për ne është e rëndësishme të shtyjmë në këtë drejtim. Nuk ka asnjë diskutim që dimensioni akademik dhe arsimor i integrimit të plotë në BE nuk duhet të presë anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit në BE, por duhet t’i paraprijë këtij anëtarësimi”.
/Argumentum.al