EDITORIAL I ARGUMENTUM
Po flitet, shkruhet dhe diskutohet me të drejtë shumë mbi përballimin e krizës së pashembullt energjitike këtë dimër dhe në përgjithësi për ndryshimet klimatike, ngrohjen globale, etj. Gjithandej skenarë katastrofikë, rritje stratosferike çmimesh të gazit dhe energjisë elektrike, parashikime për ndërprerje furnizimi dhe dritash dhe plot të papritura të tjera të pakëndshme.
Bashkimi Europian, ndërkohë, po ndërmerr dhe po vendos masa radikale për kursimin e energjisë dhe kompesimin e rritjes së tarifave, sidomos për shtresat në nevojë.
Mirëpo, këtu, është momenti që ai të shmangë maksimën ” Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”! Institucionet e BE-së dhe në radhë të parë Parlamenti Europian, si tribuna më e madhe publike e 27 vendeve të saj duhet të jenë të parat me shembullin e tyre në trajtimin dhe lehtësimin e këtij shqetësimi.
Pikërisht këtu ka lindur problemi me Parlamentin Europian. Qysh nga viti 1992, me një konsensus të vendeve antare, ai ka dy seli – një në Bruksel dhe një tjetër në Strasburg. Në fakt, në këtë të fundit zhvillohen pothuajse të gjitha seancat plenare dhe ato të komisioneve të ndryshme. Për pasojë, fatura e shpenzimeve vjetore për mbajtjen dhe mbarëvajtjen e të dy godinave të tij gjigande, të transportit Brukel – Strasburg dhe brenda tyre të 5000 Eurodeputetëve dhe stafeve të tyre me administratën është pak të thuhet ”e kripur”. Ajo llogaritet në 114 Milion Euro!!!
Mirëpo, për shkak të refuzimit të Francës, ” Cirku i ec e jakeve » të tij, siç njihet në gjuhën popullore vazhdon. Kjo mbasi edhe Strasburgu konsiderohet si kryeqyteti simbolik i Europës në kuadrin e pajtimit të madh franko-gjerman dhe bashkimit europian. Ndonëse, për këtë arsye atje u vendos më 1949 Këshilli i Europës dhe Gjykata Europiane e Strasburgut. Gjithsesi, përfitimet ekonomike prej KiE-së e cila mblidhet vetëm 4 herë në vit ( hotele, restorante, muze, transporti brenda qytetit, etj) janë shumë të vogla krahasuar me ato të pranisë së eurodeputetëve gjatë gjithë vitit.
Mirëpo, kriza e paparë energjitike e këtij viti e ” ka mbushur kupën plot”! Ajo ka nxitur shumë deputetë të Bundestagut gjerman dhe të Europarlamentit të dalin publikisht këto ditë me kërkesën ultimative që të paktën këtë dimër, Parlamenti Europian ” të bëjë një pauzë” dhe t’i zhvillojë punimet në të gjitha format dhe formatet vetëm në Bruksel. Kjo do të kursente sasi të mëdha energjie dhe gazi që shpenzohet në godinën e tij madhështore me një sipërfaqe 660.000 metra katrore në Strasburg. Po ashtu, do të shmangej konsumi i 19.000 ton dioksid karboni që ndot mjedisin si dhe shpenzimet martramendëse për avion, hoteleri, ushqim, etj të 785 eurodeputetëve, 4.000 pjestarëve të stafeve të tyre dhe administratës së tij.
Kësisoj, Parlamenti Europian do të jepte dhe vetë një shembull konkret domethënës dhe jo vetëm leksione dhe shkurtime fondesh për të tjerët!.
Le të shpresojmë se këtë radhë do të dëgjohet ky zë dhe kjo kërkesë mëse legjitime e lartpërmendur, për sezonin e këtij dimri, por pse jo dhe për më tej!
/Argumentum.al