Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Akademia e Shkencave është një institucion që mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe.
Kryeministri Rama ishte sot i pranishëm në konferencën që u zhvillua në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave.
“Për çdo njeri që merret me shkencë termi Akademi ka një domethënie të madhe. Për ne Akademia ka qenë ëndërr. Ajo materializonte dëshirën e rilindësve për institucionet arsimore të së ardhmes. Akademia e re e Voskopojës, si institucion i ngritur nga programet e rilindësve, idetë e Nolit, Lumo Skëndos, Ndre Mjedës për zhvillimin e mendimit kritik dhe atij shkencor, Akademia edhe në atë kohë aq të zymtë në aspektin e lirisë, qëndronte sidoqoftë si mënjanë nga ndikimi politiko-shoqëror i vendit””, tha Rama.
Në këtë drejtim, Kryeministri kujtoi fjalimin e lamtumirës së Aleks Budës në varrimin e gjuhëtarit Selman Riza, që ishte i dëbuar nga Instituti i Histori-Gjuhësisë dhe i lënë në harresë në një muze periferie në Berat deri sa u nda nga jeta.
“Thuhet se ky akt i Aleks Budës dhe prania në varrimin e gjuhëtarit të një sërë akademikësh të shquar bëri bujë si në Institut, edhe në mjedisin politik. Qëndrimi i profesor Budës në nderim të gjuhëtarit ishte një sfidë ndaj regjimit, por edhe shprehje e mënjanësisë së Akademisë në funksion të nderimit të dijes, profesionalizmit, rrugës së shkencës, një nderim për një punë kolosale si ajo e Selman Rizës kushtuar vendit, kombit, shqiptarëve dhe një nderim nga vetë kryetari i Akademisë së Shkencave”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se para ’90-ës ishte koha kur liria ishte e kufizuar dhe kur hapësirat e mundësitë e njerëzve të shkencës ishin tejet të ngusha, por krahasimi mes para dhe pas ’90-ës e bën pas ’90-tën të duket jo mirë, për ta thënë me fjalë të buta, përballë gjithë atyre punëve, veprave dhe figurave.
“Kaq e vërtetë është kjo sa që t’ju them të drejtën kur vizitova Akademinë e Shkencave pas ’90-ës dhe dëgjoja ato kërkëllitjet e parketit të vjetër, më dukej sikur ishte Eqrem Çabej që rrotullohej në varr nga gjendja e mjeruar e atij institucioni, një institucion që mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ne sot kemi një gjuhë të unifikuar dhe të shpëtuar dhe kjo i detyrohet në radhë të parë akademikëve të asaj kohe dhe asaj Akademie Shkencash që sot është në proces përpjekje për t’u rikthyer në lartësinë e një vendi që i takon.
“Debatet që pasuan pas rënies së komunizmit në ballafaqimin me vendet e tjera të rajonit nuk do t’i bënim dot me argumentet shkencore që disponojmë, nëse s’do na i kishin lënë trashëgimi themeluesit e Akademisë së Shkencave. Nëse s’do kishin ekzistuar Çabej, Buda, do të ishim të paarmatosur në të gjithë rrjedhën e debatit të hapur mes vendeve për prejardhjen e tyre, gjuhën e tyre, historinë e tyre e kështu me radhë. Çfarë historie do të mund të shkruanim sot, nëse nuk do të ishin disa prej nxënësve të atyre kolosëve të mëdhenj, si profesor Paskali apo Pëllumbi?”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se kemi tepër argumente sot për t’u përballur me botën si shqiptarë sesa nga dialogu që pasoi dhe shkatërroi Akademinë e Shkencave, sigurisht me dorën e politikës që ndërhyri për shpërbërjen e strukturave të Akademisë së Shkencave dhe për braktisjen e atij rezervuari burimesh njerëzore që mbase ishin pjesa më e çmuar e trashëgimisë të së shkuarës.
“Sot ne jemi në kushtet kur kemi ringritur një qendër për botimet enciklopedike albanologjike, e cila drejton një proces të ndërlikuar të hartimit të tre botimeve madhore me mbështetjen e qeverisë dhe në bashkëpunim edhe me qeverinë e Kosovës për gjuhën dhe për kulturën: Enciklopedia Shqiptare, Historia e Shqiptarëve dhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe. Janë tri sfida të mëdha në tre drejtime ku Shqipëria, ku jo vetëm shteti ynë, por kombi ynë, janë të kërcënuar. Është e kërcënuar historia e shqiptarëve nga një injorancë dhe nga një arrogancë e pashembullt që për shumë vite e ka kthyer mënjanësinë e Akademisë së Shkencave në një territor anësish politike dhe në një arenë ekstremizmash që gjejnë rrugë për shkak se bota e informacionit dhe e komunikimit është një botë që nuk ka respekt për asnjë hierarki të dijes, e për këtë arsye ne jemi akoma sot në kushtet kur është e pasigurt nëse mundet apo jo ta shkruajmë një histori të shqiptarëve që të jetë e të gjithë shqiptarëve e të cilës t’i referohen shqiptarët brez pas brezi, duke sigurisht e pasuruar, por jo duke u ndarë për ta kontestuar”, tha ai.
Ashtu sikundër, Rama, tha se “sot gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë më parë”.
“Gjithë ato që thuhen dhe gjithë ato që ndërmerren kundër gjuhës shqipe në rendin e pavërtetë akademik, pseudoakademikë në fakt, janë vetëm maja e një ajsbergu që po e gërryen gjuhën shqipe nga poshtë përmes shpërdorimit total të saj në një botë komunikimi ku askush më nuk e ka mendjen sa saktë shkruhen fjalët, por e ka mendjen që të bëjë “sent” sa më shpejt. Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe duhet të jetë një gur themeli për të përforcuar atë themel të jashtëzakonshëm që vendosën etërit themelues të Akademisë së Shkencave. Unë besoj që gjuha e unifikuar shqipe është një nga pasuritë më të mëdha të shqiptarëve dhe një nga ato thesare që askush nuk duhet lejuar t’i prekë dhe t’i shpërdorojë”, shtoi ai.
/Argumentum.al