Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, prezantoi pakon e re të masave kundër krizës në vlerë prej mbi 350 milionë euro.
Sipas njoftimit të qeverisë, Kovaçevski theksoi se nuk do të lënë askënd të vetëm të përballet me pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike.
“Me pakon e re të masave në vlerë prej mbi 350 milionë euro, krizën do ta kalojmë së bashku, askush nuk do të mbetet i vetmuar të përballet me pasojat”, ka shkruar Kovaçevski në rrjetet sociale.
Sipas tij, subvencionohet rreth 80 për qind e energjisë elektrike për 661.000 amvisëri dhe 72.000 konsumatorë të vegjël, kompani që punësojnë pothuajse 98 për qind të punëtorëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se mbi 330 mijë pensionistë do të marrin pensione më të larta sipas metodologjisë së re.
“6.000 denarë në 4 muajt e ardhshëm do të marrin pensionistët që marrin pension deri në 11.525 denarë. 3.000 denarë në 4 muajt e ardhshëm do të marrin edhe pensionistët që marrin pension nga 11.526 deri në 14.000 denarë. Ndihmë e njëhershme prej 3.000 denarëve për 36.000 amvisëri që marrin asistencë minimale të garantuar. 3.000 denarë në muaj në 4 muajt e ardhshëm do të paguhen për gati 42.000 persona nga kategoritë e rrezikuara”, shtoi ai.
Siç theksoi Kovaçevski, qeveria subvencionon pagat, kujdesen për punëtorët dhe më të rrezikuarit në njërën prej krizave më të vështira ekonomike dhe energjetike.
“365 shkolla fillore dhe 109 shkolla të mesme do të jenë në tregun e rregulluar të energjisë elektrike, në mënyrë që procesi arsimor të vijojë pa probleme. Spitalet dhe stacionet matëse për pompat e ujit do të blejnë energji elektrike të lirë nga ESM”, tha ai.
Duke theksuar se janë planifikuar disa linja kreditore me kosto të ulët për ekonominë për ruajtjen e likuiditetit, Kovaçevski theksoi se mjetet për rimbursimin e TVSH-së janë siguruar edhe para afatit ligjor prej 30 ditësh për të pasur likuiditet të shtuar dhe se janë siguruar mjete për qytetarët që janë përfitues nga “TVSH-ja ime”.
“Janë paraparë edhe subvencione në bujqësi për sigurimin e ushqimit, rritjen e rendimentit, stimulimin e produktivitetit, konkurrencës më të madhe”, shtoi kryeministri Kovaçevski.
/Argumentum.al