Duke folur rreth rritjes së fundit të tensioneve midis Ukrainës dhe Rusisë, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi se Türkiye është “vendi i vetëm që mund të bisedojë në mënyrë të barabartë me Rusinë dhe Ukrainën”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Për fat të keq, procesi i negociatave dhe paqes është lënë anash. Balancat kanë ndryshuar ndërsa të dyja palët kërkojnë mbizotërim në terren, si dhe përpjekjet për epërsi vazhdojnë”, tha Çavuşoğlu në një intervistë televizive në Ankara.
Veprimet e fundit të Ukrainës dhe Rusisë “e kanë bërë situatën edhe më të vështirë”, theksoi Çavuşoğlu, duke thënë se të dyja palët janë të vetëdijshme për politikën e balancuar të Türkiye-s në lidhje me situatën.
Türkiye vazhdon diplomacinë e saj duke mos ndërprerë marrëdhëniet me Rusinë dhe Ukrainën, pohoi ministri turk, dhe shtoi se vendi i tij shfaq një qëndrim në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ai gjithashtu theksoi se të gjithë, veçanërisht Ukraina, po paguajnë çmimin për ndërprerjen e dialogut me Rusinë.
Türkiye udhëheq politika që synojnë minimizimin e efekteve të luftës, tha gjithashtu Çavuşoğlu dhe vuri në dukje se marrëveshja mbi grurin nuk do të ishte arritur nëse Türkiye do t’i bashkëngjitej qëndrimit dhe sanksioneve të vendeve perëndimore kundër Rusisë.
Ankaraja “mbështet integritetin territorial të Ukrainës”, shtoi ai.
Rreth marrëdhënieve me Greqinë, Çavuşoğlu tha se Athina është e shqetësuar për rolin e Ankarasë si një aktor global.
Greqia shfaq një “qëndrim të padrejtë për çështjen e juridiksionit detar” në Detin Egje, tha ministri i jashtëm turk, duke i bërë thirrje Greqisë të “mos shoh ëndrra”.
Ai më tej tha se Türkiye i përgjigjet provokimeve greke në të gjitha fushat, si nga deti, ajri dhe toka.
Kryediplomati turk kritikoi gjithashtu qëndrimin e SHBA-së lidhur me marrëdhëniet Türkiye-Greqi, duke thënë se Washingtoni ka humbur qasjen e saj të politikës së ekuilibruar për çështjet që lidhen me Qipron dhe Detin Egje.
/Argumentum.al