Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot kryetarin e Prezencës së OSBE-së, ambasadorin Vincenzo Del Monaco, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
Nikolla shprehu mirënjohjen për kontributin e ambasadorit në zgjerimin e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së për avancimin dhe thellimin e reformave, në mënyrë të veçantë të reformës zgjedhore dhe reformës administrative-territoriale.
“Gjatë misionit tuaj në Tiranë bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së u intensifikua dhe krijuam një kulturë të re bashkëpunimi, për zbatimin e projekteve e procedurave parlamentare, duke rritur ‘pronësinë’ e kontributit të Kuvendit dhe shërbimeve parlamentare në këtë bashkëpunim. Kjo kulturë e re ka rritur transparencën e veprimtarisë parlamentare dhe qëndrueshmërinë e projekteve e programeve të bashkëpunimit”, theksoi kryetarja Nikolla.
Ambasadori Vincenzo Del Monaco falënderoi kryetaren Nikolla për vizionin e saj në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe bashkëpunimin me Prezencën e OSBE-së, si edhe për vlerësimin e lartë të këtij bashkëpunimi dhe vuri në dukje se Prezenca dhe Kuvendi janë nisur nga qëllimi i përbashkët për të rritur kontributin e Kuvendit në shërbim të zhvillimit të vendit, konsolidimit të demokracisë, kushtetueshmërisë dhe plotësimit të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.