Për herë të parë në histori këtë 11 tetor Kosova e fitoi të drejtën e fjalës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ishte zëri i parë nga Kosova që u dëgjua në sallën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, transmeton RTK
Bogujevci, që është e mbijetuar e luftës në Kosovë tha se shteti ynë qëndron me Ukrainën.
“Pasi që është hera e parë që ju drejtohem në këtë mbledhje plenare, do të doja t’u them kolegëve të mi ukrainas dhe gjithashtu popullit të Ukrainës se mendimet, zemrat tona dhe lutjet tona janë me ju. Ne e dimë shumë mirë se çfarë po kaloni. Unë vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës në Kosovë. Do të jemi gjithmonë me ju në këtë luftë. Shpresojmë që së shpejti kjo luftë e tmerrshme të marrë fund dhe drejtësia të triumfojë. Lavdi Ukrainës”, kanë qenë fjalët e Bogujevcit para Asamblesë në Strasburg.
Ajo ka falënderuar të gjithë për mundësinë për të folur dhe ndihmën ndaj Kosovës ndër vite.
“Falënderojmë George Papandreou për qëndrimet e tij mbështetëse ndaj nesh. Sot do doja të flasë për shumë gjëra, për arritjet e Kosovës, për demokracinë më përparimtare në regjion dhe nëse nuk e besoni, mund të vini ta vizitoni Kosovën dhe ta shihni vetë. Të shihni vështirësitë që ndeshemi, vështirësitë me fqinjin tonë dhe të kaluarën e afërt nëpër të cilën kemi kaluar”, ka thënë gjatë fjalimit të saj Bogujevci.
Ajo tutje tha se sot përpjekjet po bëhen për demokracinë përballë një ballafaqimi me luftën.
“Sot ne po ballafaqohemi me një brengë më të gjerë sesa regjioni ynë. Tani po ballafaqohemi me një luftë të ashpër, sot po përpiqemi për demokracinë, pra sot s’po flasim vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të ardhmen e Evropës”.
Bogujevci tha se Kosova dhe vendet tjera te Ballkanit Perëndimor janë Evropë dhe nuk ka tjetër të ardhme përpos si pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.
“Në këtë linjë të diskutimit, në çdo vendim që marrim, unë gjithmonë mendoj se si këto vendime do të kenë ndikim në të ardhmen e gjeneratës sonë, pra fëmijëve tanë. Tash, më shumë se kurrë duhet të jemi vigjilentë që vendimet tona të kenë ndikim pozitiv në të ardhmen e regjionit dhe Evropës si tërësi”, tha tutje ajo.
Mbështetje mori nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani
Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur Bogujevcin, frymëzim derisa ka shpërndarë videon me fjalimin e saj në Twitter.
“Krenare që shoh deputetët e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Nga një e mbijetuar e një masakre dhe gjenocidi brutal, në një kampione të pozitës ndërkombëtare të Kosovës si fener i demokracisë. Është frymëzuese të shohësh Saranda Bogujevcin duke iu drejtuar kolegëve deputetë nga e gjithë Evropa”, ka shkruar presidentja.
/Argumentum.al