Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës se Shqipëria ka marrëdhënie të mira me fqinjët e saj, ndërsa theksoi se si Turqia, ashtu dhe Italia dhe Greqia janë partnerë strategjikë.
Komenti i Kryeministrit Rama erdhi si përgjigje ndaj Nina Kasimatit, anëtares greke në Asamblenë e KiE-s, lidhur me marrëdhënien e Shqipërisë me Turqinë dhe ndikimin e këtij partneriteti në aderimin e Shqipërisë në BE.
Rama uroi që problemet e Greqisë me Turqinë të zgjidhen përmes dialogut e drejtësisë ndërkombëtare.
“Turqia, ashtu si Greqia dhe Italia, të treja janë njëlloj, dhe në politikën tonë të jashtme përcaktohen si partnerë strategjikë. Ju keni problemet tuaja me Turqinë, shpresoj ti zgjidhni përmes dialogut e drejtësisë ndërkombëtare. Por kur bëhet fjalë për ne, ne nuk krahasojmë dhe nuk zgjedhim midis partnerëve tanë strategjikë e midis miqve, sepse kemi mësuar nga e shkuara jonë se fqinjët janë aty për të qëndruar përgjithmonë, nuk do të shkojnë askund tjetër. Dhe gjyshja ime më thoshte: ‘Fqinji i lumtur është shtëpi e lumtur, dhe e kundërta është e qartë’”, tha Rama.
Kryeministri Rama nënvizoi rolin e Turqisë në krizën e refugjatëve të vitit 2015.
“Ne nuk kemi frikë për asgjë të keqe që mund të na vijë nga Turqia, në të kundërt, do të shtoja se Turqia është shumë e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Pa Turqinë, kriza e refugjatëve e vitit 2015 do të ishte kthyer në një krizë apokaliptike për vendet më të fuqishme të Evropës. Ishte Turqia, që në fakt qëndroi në portet e Evropës dhe bëri atë që bëri. Dua të shtoj se unë kam nderin dhe privilegjin të njoh dhe konsideroj veten si mik të të dyve, presidentit Erdogan dhe kryeministrit Mitsotakis. Mendoj se janë njerëzit më të mirë, në vendin e duhur për të zgjidhur këtë gjë. Këtë dëshiroj unë, sepse as Turqia, as Greqia nuk do të ikin”, deklaroi Rama.