Agjencia e migrimit e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se 12.546 emigrantë të parregullt dhe refugjatë kanë arritur në Evropë nga deti që nga fillimi i vitit 2019.
Gjithashtu 407 emigrantë janë zhdukur në det këtë vit, sipas raportit të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).
Gjatë periudhës së njëjtë në vitin e kaluar, 16.218 refugjatë dhe emigrantë kanë hyrë në Evropë dhe 558 të tjerë u mbytën në Detin Mesdhe.
Numri i personave që kanë arritur në Spanjë dhe Greqi mes 1 janarit dhe 10 prillit është 5.880 për secilin vend. Numri i personave të ardhur në Itali është shumë më i ulët (551 nga 6.894 gjatë periudhës së njëjtë vitin e kaluar), Malta 246 persona dhe Qipro 177 persona.
IOM dhe UNICEF më herët gjatë ditës shfaqën shqetësime për situatën e 62 emigrantëve dhe refugjatëve të shpëtuar më 3 prill nga anija Alan Kurdi, që drejtohet nga organizata joqeveritare gjermane “Syri i detit”.
“Agjencitë riafirmojë prioritetin absolut për shpëtimin e jetëve në det dhe garantimin e zbarkimit të sigurt dhe në kohë”, thuhet në një kumtesë të përbashkët.
“Situata në Libi e bën absolutisht të nevojshme formimin e mekanizmave të zbarkimit që janë të parashikueshme dhe në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare, ndër të cilat vendi i Afrikës së Veriut nuk mund të konsiderohet si port i sigurt”, tha IOM.
Në ditët e fundit, dy gra janë zbarkuar nga një anije për probleme shëndetësore, konfirmoi përfaqësuesi i IOM-it në Itali, Flavio Di Giacomo.
Rreth 30.510 emigrantë humbën jetën në periudhën mes viteve 2014 dhe 2018 gjatë udhëtimit të vështirë për në Evropë, thuhet në një raport të OKB-së të publikuar në muajin janar.